OKB: Sulmet ajrore izraelite në Gaza ndodhin “çdo 8 ose 9 minuta”

Dujarric tha se “forcat izraelite kanë rritur operacionet e tyre gjatë 24 orëve të fundit, me pasoja shkatërruese për civilët”

OKB-ja ka paralajmëruar për pasoja shkatërruese për civilët në Rripin e Gazës, teksa forcat izraelite intensifikuan sulmet e tyre me një frekuencë alarmante përmes sulmeve ajrore në enklavën e rrethuar palestineze, transmeton Anadolu.

Duke cituar Zyrën e Koordinimit të Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media tha se “forcat izraelite kanë rritur operacionet e tyre gjatë 24 orëve të fundit, me pasoja shkatërruese për civilët”, mesatarisht, kjo do të thotë një sulm ajror çdo tetë ose nëntë minuta”.

Ai tha se ekipet e OKB-së që monitorojnë lëvizjen e popullsisë “numëruan rreth 16.500 persona të zhvendosur nga Gaza veriore në jug” vetëm gjatë të enjtes.

Dujarric theksoi se punonjësit e ndihmës mbeten të pozicionuar përgjatë rrugëve të zhvendosjes për të ofruar mbështetje, por paralajmëroi për sfida në rritje.

“Punonjësit e ndihmës mbeten të stacionuar përgjatë rrugëve të zhvendosjes, duke ofruar ndihmë të parë psikosociale, duke i referuar njerëzit në shërbime të specializuara kur është e nevojshme dhe duke i edukuar të sapoardhurit mbi rrezikun e municioneve shpërthyese”, tha ai.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, qindra mijëra njerëz mbeten në Qytetin Gaza mes pasigurisë së përhapur. Dujarric tha se ata mbështeten shumë në ndihmën humanitare, sepse shërbimet më kritike janë detyruar të mbyllen ose të zhvendosen.

Lidhur me kufizimet e vazhdueshme të qasjes nga Izraeli, ai raportoi se të enjten “nga 15 lëvizje që u përpoqëm të koordinonim me autoritetet izraelite për të mbështetur njerëzit në pjesë të ndryshme të Gazës, vetëm shtatë u lehtësuan plotësisht”.

Dujarric theksoi se OCHA i ka kërkuar Izraelit të “lehtësojë plotësisht operacionet humanitare, duke përfshirë lëvizjet e papenguara të ndihmës brenda dhe përgjatë Rripit të Gazës”.

Duke iu referuar situatës në Bregun Perëndimor të pushtuar, ai tha se më shumë se 3 mijë palestinezë, gjysma e tyre fëmijë, janë zhvendosur nga sulmet e paligjshme të kolonëve izraelitë dhe kufizimet e qasjes nga Izraeli që nga tetori i vitit 2023.

Kategoritë
BotaLajme