Al-Shaima Saidam u vra me anëtarët e familjes së saj kur raketat goditën kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në Rripin e Gazës. Në korrik, ajo u zgjodh nxënësja më e mirë e shkollës së mesme në Palestinë
Në Gaza, ku sulmet dhe shpërthimet e pamëshirshme përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për popullatën civile, gratë po përpiqen të mbrojnë familjet e tyre, duke ushqyer fëmijët e tyre në një bllokadë të ashpër dhe duke i mbajtur ata nën strehim ndërsa sulmet izraelite i kthejnë ndërtesat e banimit në gërmadha, raporton Anadolu.
Rrëfimet e tyre janë të rënda dhe të trishtueshme, por edhe gjatë kësaj beteje ata luftojnë që të dëgjohet zëri i tyre në një botë që shpesh mbyll sytë ndaj padrejtësisë. Deri më tani, qindra gra dhe vajza janë vrarë në sulmet izraelite. Armët nuk zgjedhin. Vriten nëna, vajza, motra, gazetarë dhe nxënës të shkëlqyeshëm.
Midis tyre ishte edhe Al-Shaima Saidam. Ajo u vra me anëtarët e familjes së saj kur raketat goditën kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në Rripin e Gazës. Në korrik, ajo u zgjodh nxënësja më e mirë e shkollës së mesme në Palestinë, pasi arriti një mesatare prej 99.6 për qind në arsimin e mesëm të përgjithshëm palestinez.
Heba Abu Nada, një shkrimtare dhe poete, u vra në shtëpinë e saj, duke lënë pas fjalë ku përshkruhej forca dhe qëndrueshmëria e popullit të saj.
Gazetarja Salam Mema, së bashku me bashkëshortin dhe tre fëmijët, u vra në shtëpinë e saj në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia. Mema ka punuar prej vitesh për të paraqitur para skenës botërore ngjarjet në Gaza.
Këto nuk janë vetëm numra, por shembuj të shpresave, ëndrrave dhe planeve të shuara nga sulmet ajrore vdekjeprurëse izraelite.
Këto humbje shërbejnë gjithashtu për të ilustruar krizën e tmerrshme humanitare që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat në Gaza, pasi Izraeli nuk do të dëgjojë për të marrë në konsideratë një armëpushim për të lehtësuar vuajtjet e tyre.
“Gratë, vajzat dhe familjet e tyre në Gaza vazhdojnë të përballen me vdekje të paimagjinueshme. Gaza po mbetet pa ujë, ushqim, energji elektrike dhe karburante që shpëton jetën”, tha për Anadolu, Sarah Hendriks, nga UN Women.
Ajo theksoi se gratë dhe vajzat në Gaza janë në strehimore pa ushqim, ujë, privatësi apo objekte sanitare.
UN Women vlerëson se më shumë se 1.800 gra kanë mbetur të veja dhe do të mbajnë barrën e kujdesit të familjeve të tyre, dhe se më shumë se 744 mijë gra dhe vajza janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
“Ndikimi i këtij konflikti tek gratë dhe vajzat është i papërshkrueshëm. Siç ndodh shpesh në konflikte, gratë preken në mënyrë disproporcionale dhe rruga drejt rimëkëmbjes për to do të zgjasë me vite, nëse mbijetojnë”, tha Hendriks.
Duke përshkruar situatën aktuale në Rripin e Gazës, Hendriks tha se sistemi humanitar në zonë është “në prag të kolapsit”.
Ajo tha se edhe para fillimit të valës aktuale të sulmeve, Gaza mbështetej në një qarkullim ditorë prej 500 kamionësh të ndihmave humanitare, përfshirë 45 kamionë me karburant.
“Situata është e rëndë, me kërkesë urgjente për ujë, ushqim, ilaçe dhe karburant. Mungesa e karburantit kërcënon dërgimin e ndihmave jetike humanitare dhe funksionimin e spitaleve dhe shkripëzimin e ujit, me pasoja shkatërruese për gratë dhe vajzat”, tha Hendriks.
Ajo konsideron se “ka sfida të rëndësishme për gratë shtatzëna dhe nënat”.
Duke cituar të dhënat e Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA), ajo tha se ka rreth 50 mijë gra shtatzëna në enklavë, më shumë se 180 prej të cilave lindin çdo ditë dhe se 15 për qind e tyre ka të ngjarë të kenë nevojë për kujdes mjekësor shtesë për shkak të komplikimit gjatë shtatzënisë ose lindjes.
“Me 14 spitale të mbyllura dhe 45 qendra të kujdesit shëndetësor primarë, disa gra janë destinuar të lindin në strehimore, në shtëpitë e tyre, në rrugë mes rrënojave ose në objektet shëndetësore të mbipopulluara, pa kushtet e duhura sanitare dhe në rrezik nga infeksioni dhe komplikimet mjekësore”, theksoi Hendriks.
Ajo theksoi se gratë dhe vajzat në Gaza përjetojnë vështirësi të rënda personale për shkak të mungesës së tualeteve dhe banjove të sigurta dhe private dhe mungesës së shërbimeve dhe nevojave për ruajtjen e higjienës personale, nga produktet sanitare dhe uji deri te të brendshmet e pastra.
Ajo preku edhe sfidat psikologjike me të cilat përballen gratë në Gaza. “Ato përballen me frikën e vazhdueshme të bombardimeve intensive dhe barrën e kujdesit për familjet e tyre. Çdo ditë ata pyesin veten: ‘A do t’i mbijetojmë kësaj?’. Gratë në Gaza jetojnë me frikë, por gjithashtu tregojnë qëndrueshmëri të madhe në përpjekjet e tyre të përditshme që thjesht të mbijetojnë”, tha Hendriks.
Ajo vuri në dukje nevojën e jashtëzakonshme për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale për gratë dhe vajzat në Gaza.
“Edhe para krizës aktuale, situata në Gaza ishte e tmerrshme, me 97 për qind të burrave dhe 98 për qind të grave që jetonin në frikë të vazhdueshme për sigurinë e tyre. Mund të imagjinoni se çfarë barre të madhe emocionale po vuajnë tani”, u shpreh Hendriks.
Ajo përsëriti thirrjen për ndihmë.
“Në emër të të gjitha grave dhe vajzave në Gaza që po kalojnë këtë makth, ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Furnizimet dhe shërbimet thelbësore dhe aksesi i papenguar humanitar duhet të lejohen në dhe përmes Gazës dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, shtoi Hendriks.