OKB: Dëbimi i shtetasve të huaj nga SHBA-ja, shkelje e të drejtave të njeriut

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk tha se dëbimi i një numri të madh shtetasish të huaj nga SHBA-ja në muajt e fundit ka ngritur shqetësime në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk tha se dëbimi i një numri të madh shtetasish të huaj nga SHBA-ja në muajt e fundit ka ngritur shqetësime në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij me shkrim, Türk tha se sipas të dhënave zyrtare të SHBA-së, 142 mijë njerëz u deportuan nga SHBA-ja në periudhën 20 janar-29 prill.

Ai theksoi se mbetet ende i paqartë fati dhe vendndodhja e të paktën 245 venezuelianëve dhe rreth 30 salvadorianëve të dërguar në El Salvador. “Dëbimi i një numri të madh shtetasish të huaj nga SHBA-ja, veçanërisht në vende të tjera përveç vendeve të tyre në muajt e fundit, ka ngritur një sërë shqetësimesh për të drejtat e njeriut”, potencoi Türk.

Sipas tij, shumë shtetas të huaj u dëbuan në bazë të “Aktit për Armiqtë e Huaj” me arsyetimin se ishin anëtarë të grupeve të caktuara kriminale ndërsa thuhet se mbaheshin në Qendrën për Kontrollin e Terrorizmit (CECOT) në El Salvador.

“Të paraburgosurit në këtë strukturë trajtohen veçanërisht ashpër. Ata nuk kanë qasje në këshilltar ligjor ose me të afërmit ose ndonjë kontakt tjetër me botën e jashtme”, deklaroi Türk.

Ai shtoi se kjo situatë përbën shqetësim serioz lidhur me të drejtën për gjykim të drejtë, të drejtën për mbrojtje nga arrestimi arbitrar, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtën për mbrojtje nga tortura ose dëme të tjera të pariparueshme në vendet e tjera si dhe të drejtën për të patur akses në një mjet efektiv juridik.

Kategoritë
BotaLajme