“Ne kemi parë shkatërrimin e planifikuar të sistemit të kujdesit shëndetësor në veri të Gazës. Ky vend ka qenë i rrethuar për më shumë se 80 ditë. Kjo e vendos në rrezik më të madh jetën e 75 mijë palestinezëve të mbetur në rajon”, tha Harris
Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Harris tha se ata janë dëshmitarë të shkatërrimit të planifikuar të sistemit shëndetësor në veri të Gazës, i cili ndodhet nën sulme dhe rrethim intensiv nga Izraeli, raporton Anadolu.
Harris në një prononcim për gazetarin e AA-së foli në lidhje me situatën shëndetësore në Rripin e Gazës i cili është nën sulme intensive nga Izraeli.
Ajo tha se gjendja shëndetësore në Gaza është shumë e keqe ndërsa spitali “Kamal Adwan”, objekti i fundit i madh shëndetësor në veri të Gazës është jashtë funksionit.
“Ne kemi parë shkatërrimin e planifikuar të sistemit të kujdesit shëndetësor në veri të Gazës. Ky vend ka qenë i rrethuar për më shumë se 80 ditë. Kjo e vendos në rrezik më të madh jetën e 75 mijë palestinezëve të mbetur në rajon”, tha Harris.
Duke vënë në dukje se njerëzit në pjesë të tjera të Gazës nuk kanë strehim dhe ushqim të mjaftueshëm, Harris thekson se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë ndonjë kujdes shëndetësor.
“Spitalet e tjera në Gaza janë gjithashtu nën sulme. Dy spitale të tjera në qendër të Gazës u sulmuan dhe se situata gradualisht po përkeqësohet”, thotë ajo.
– “Nëse banorët e Gazës nuk vriten nga bombat, ata do të vriten nga sëmundjet dhe uria”
Zëdhënësja e OBSH-së tha se nuk kanë numër specifik të fëmijëve që vdesin nga i ftohti në Rripin e Gazës dhe se raportimet që i shohin në media lidhur me këtë janë jashtëzakonisht të trishtueshme.
“Gjëja më mizore që mund t’i bësh një prindi është t’i kërkosh atij që të vendosë të mos sigurojë nevojat më elementare për fëmijën e tij dhe të shikojë që fëmija i tij i vogël të vdesë. Kjo është gjëja më mizore që njerëzit mund t’i bëjnë njëri-tjetrit. Para një viti parashikuam se kjo do të ndodhte, pasi njerëzit u nxorën me detyrim nga shtëpitë e tyre, nuk u sigurua strehim dhe shërbim i mjaftueshëm. Unë kam thënë se nëse nuk vriten nga bombat, ata do të vriten nga sëmundjet dhe uria. Kurrë nuk e besova se kjo do të ndodhte me të vërtetë, por ajo po ndodhë”, tha Harris.
Harris potencoi se spitali “Kamal Adwan” tani është i zbrazët, pacientët e mbetur në gjendje kritike janë transferuar në Spitalin Indonezian, por ky spital nuk ka pajisjet dhe materialet e nevojshme për të ofruar kujdes të mjaftueshëm.
Duke thënë se ata nuk kanë informacion për situatën e drejtorit të spitalit “Kamal Adwan”, Hussam Abu Safiya, i cili u ndalua nga Izraeli, Harris tha se “E vërteta është se aktualisht nuk ka asnjë shërbim të vërtetë shëndetësor për njerëzit në veri të Gazës”.