Nxënëses së gjeneratës në SHBA i ndërpritet fjalimi pasi përmendi Palestinën: “Më thanë se nëse nuk ndalesha, nuk do të diplomoja”

Leen Hijaz, nxënësja më e dalluar e një shkolle të mesme në Karolinën e Veriut, është bërë qendër e vëmendjes pasi fjalimi i saj gjatë ceremonisë së diplomimit u ndërpre, sepse ajo u largua nga teksti i miratuar për të folur për çështje globale, përfshirë vuajtjet në Palestinë.

Megjithëse diploma fillimisht iu mohua, shkolla më vonë konfirmoi se ajo e mori diplomën.

Incidenti ndodhi në fund të muajit maj gjatë ceremonisë së diplomimit në Shkollën e Mesme Clayton (CHS). Sipas mediave amerikane, Hijaz vendosi që në fund të fjalimit të saj të shfrytëzonte rastin për të folur për tema që nuk ishin pjesë e skenarit të miratuar paraprakisht.

“Çdo person këtu ka një zë dhe ne jemi me fat që kemi lirinë ta përdorim atë në një kohë kur kaq shumë njerëz në mbarë botën po luftojnë dhe po vuajnë për t’u dëgjuar zëri i tyre”, tha nxënësja para të pranishmëve.

Në fjalimin e saj ajo preku disa çështje aktuale politike dhe kriza globale.

“Qoftë për miliona njerëz që po vuajnë në Palestinë, Sudan, Kongo, Afganistan dhe shumë vende të tjera të botës, apo për familjet që po ndahen nga shërbimet amerikane të emigracionit (ICE), këto nuk janë probleme të largëta. Ato po ndodhin pikërisht tani, ndërsa unë po flas. Mesazhi im është se zëri ynë nuk na është dhënë për të heshtur”, deklaroi Hijaz.

Ndërhyrja e drejtoreshës dhe reagimi i shkollës

Vetëm pak çaste pas këtyre fjalëve, kamerat filmuan një përfaqësuese të administratës së shkollës, e identifikuar si drejtoresha Melissa Moore Hubbard, duke iu afruar Hijazit, duke e ndërprerë dhe duke e larguar nga podiumi.

Pas incidentit, Hijaz publikoi një video në TikTok ku pretendoi se shkolla kishte refuzuar t’ia jepte diplomën. Megjithatë, autoritetet e distriktit shkollor Johnston konfirmuan më 2 qershor se diploma i ishte dorëzuar më vonë.

Në një deklaratë zyrtare, shkolla tha se Hijaz “kishte devijuar nga fjalimi i miratuar”.

“Administratorët e shkollës ndërhynë në kohë reale për të ruajtur integritetin dhe fokusin e programit”, thuhej në reagim. “Ky veprim nuk kishte për qëllim kufizimin e zërit të nxënëses, por sigurimin që aktiviteti i organizuar nga shkolla të mbetej në përputhje me qëllimin e tij.”

“E dija se nuk do ta miratonin”

Në një video të publikuar në TikTok, Hijaz tregoi se kishte luftuar për gjashtë muaj me administratën e shkollës për të marrë mundësinë që të dilte në skenë, pasi kishte përfunduar shkollimin një vit më herët se bashkëmoshatarët e saj.

Ajo shpjegoi edhe pse nuk i kishte përfshirë komentet e diskutueshme gjatë procesit të miratimit të fjalimit.

“Nuk ua tregova ato pjesë sepse e dija se do t’i refuzonin menjëherë”, pranoi Hijaz.

Ajo tha se kishte qenë shumë e frikësuar para se t’i shqiptonte ato fjalë, por kishte mbështetjen e madhe të familjes dhe miqve të saj.

Megjithëse nuk arriti të thoshte gjithçka që kishte planifikuar, ajo u shpreh krenare për atë që bëri për komunitetin e saj mysliman dhe arab, si dhe për faktin që e përdori platformën e saj për të ngritur zërin.

“Arsyeja e vetme pse doja të ngjitesha në atë skenë ishte sepse doja të thosha diçka. Unë besoj vërtet se dikush duhet të flasë, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë. Nëse ju jepet një mundësi, duhet ta shfrytëzoni atë”, tha Hijaz.

Ajo e përfundoi mesazhin e saj me fjalët:

“Nëse mendoni se kam bërë diçka të gabuar, atëherë mendoj se problemi është tek ju.”

Kategoritë
BotaLajme