Një vend i fuqishëm evropian i bllokoi rrugën Malit të Zi drejt BE-së

Mali i Zi do të mbyllë javën e ardhshme vetëm tre nga pesë kapitujt që pritej të mbylleshin, pasi Franca ka bllokuar kapitujt 11 dhe 13, që kanë të bëjnë përkatësisht me bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe peshkimin.

Këtë e kanë konfirmuar për TVCG burime nga Këshilli i BE-së, pas takimit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Javën e ardhshme, Mali i Zi do të mbyllë tre kapituj në negociatat me BE-në, konkretisht: e drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe liria e ofrimit të shërbimeve (kapitulli 3), lëvizja e lirë e kapitalit (kapitulli 4) dhe e drejta e shoqërive tregtare (kapitulli 6).

Është paralajmëruar se konferenca ndërqeveritare do të mbahet më 16 dhjetor, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së për Çështje të Përgjithshme.

Portali RTCG mëson nga burime diplomatike se përfaqësuesit e përhershëm do të mblidhen sërish gjatë fundjavës, në prag të Konferencës Ndërqeveritare, çka mund të jetë edhe një mundësi tjetër për të diskutuar për mbylljen eventuale të kapitujve shtesë.

Kategoritë
LajmeRajoni