Një punonjës në Korenë e Jugut u vra nga një robot që nuk mund ta dallonte atë nga kutitë e ushqimit

Një burrë u shtyp për vdekje nga një robot në Korenë e Jugut pasi nuk arriti ta dallonte atë nga kutitë e ushqimit që ai po merrte, thanë raportet. Ngjarja ndodhi kur një punonjës i një kompanie robotike rreth të 40-tave, po inspektonte robotin.

Krahu robotik, i cili nuk e njohu burrin, e kapi atë si një kuti perimesh dhe e shtyu trupin e tij në rripin transportues, duke i shtypur fytyrën dhe gjoksin, raportoi agjencia e lajmeve koreano-jugore Yonhap. Ai u dërgua në spital, por më vonë vdiq.

Sipas Yonhap, roboti ishte përgjegjës për marrjen e kutive me speca dhe transferimin e tyre në paleta. Burri po kontrollonte funksionimin e sensorëve të robotit përpara testimit të tij në një fabrikë të klasifikimit të specave në provincën Jugore Gyeongsang, të planifikuar për 8 nëntor, shtoi agjencia, duke cituar policinë, raportoi BBC.

Testi ishte planifikuar fillimisht për 6 nëntor, por u vonua me dy ditë për shkak të problemeve me sensorin e robotit. Burri, një punonjës i kompanisë që prodhoi krahun robotik, po kontrollonte makinën vonë të mërkurën në mbrëmje.

Në një deklaratë pas incidentit, një zyrtar nga kompleksi bujqësor Donggoseong Export, i cili zotëron fabrikën, bëri thirrje për krijimin e një sistemi “të saktë dhe të sigurt”.

Në mars, një burrë nga Koreja e Jugut rreth të 50-tave pësoi lëndime të rënda pasi u bllokua nga një robot teksa punonte në një fabrikë të pjesëve të makinave.

Kategoritë
BotaLajme