Nënë e pesë fëmijëve, Nadire Sakalli, tha se vendosi të mësonte të lexonte dhe të shkruante pasi u ndikua nga arsimi i fëmijëve të saj.
Nadire Sakalli, një grua 88-vjeçare, mësoi të lexonte dhe të shkruante në një kurs të hapur në Qendrën e Arsimit Publik në Isparta, Turqi, raporton Anadolu.
Pasi humbi nënën e saj në moshë të re dhe u rrit me gjyshen e saj deri në moshën shtatëvjeçare, Sakalli më vonë u kthye tek babai i saj, një farkëtar, dhe filloi luftën e saj për mbijetesë.
Duke punuar në kopshte gjatë fëmijërisë së saj, ajo nuk mundi të merrte arsim. Dëshira e saj e paplotësuar për të mësuar të lexonte dhe të shkruante më në fund u realizua vite më vonë.
Nënë e pesë fëmijëve, Sakalli tha se vendosi të mësonte të lexonte dhe të shkruante pasi u ndikua nga arsimi i fëmijëve të saj.
Duke deklaruar se jeta e saj është bërë më e lehtë që kur mësoi të lexonte dhe të shkruante, ajo tha: “Kur fëmijët e mi mësuan të lexonin, edhe unë doja të mësoja. Ndjeva një mangësi. Leximi e bën jetën më të lehtë në çdo aspekt të jetës. Në treg, në supermarket, në telefon… Nëse dikush nuk di të lexojë, duhet të mësojë patjetër. Mos thoni, ‘Jam e moshuar’, kushdo që dëshiron mund të mësojë'”.
– “Gjëja e më e rëndësishme është dëshira për të mësuar”
Hazine Uygun, një mësuese e shkrim-leximit në Qendrën e Arsimit Publik të Ispartës, deklaroi se vendosmëria e Sakalli ishte thelbësore në mësimin e saj për të lexuar dhe shkruar kaq shpejt.
Uygun theksoi se Sakalli, pavarësisht se lindi në vitin 1938, ishte shumë e etur për dije, duke thënë: “Pas dy vitesh trajnimi, ajo mësoi të lexonte dhe të shkruante. Ajo mund të lexojë tani dhe është shumë e lumtur. Lumturia e saj na bën edhe ne të lumtur”.
Celal Ozan, drejtori i Qendrës së Arsimit Publik të Ispartës, deklaroi gjithashtu se ata ofrojnë arsim për individë të të gjitha moshave. “Ne shërbejmë për njerëzit nga mosha shtatë deri në 77 vjeç. Mosha nuk është e rëndësishme. Gjëja e më e rëndësishme është dëshira për të mësuar. Halla jonë Nadire është bërë një nga shembujt më të mirë të kësaj dëshire”, tha Ozan.












