Në tri shtete amerikane ka nisur votimi i parakohshëm për zgjedhjet presidenciale.
Votimi i hershëm për zgjedhjet presidenciale në SHBA ka filluar në Minnesota, Dakotën e Jugut dhe Virginia, duke nisur një proces gjashtëjavor, i cili do të përfundojë më 5 nëntor
Nga mesi i tetorit, në dhjetë shtete të tjera federale do të nisin votimin e hershëm, shkruan Abcnews.
Ekspertët parashikojnë se do të ketë një numër të madh votuesish të hershëm këtë sezon zgjedhor, pasi kjo metodë votimi është bërë gjithnjë e më popullore.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, më shumë se 69 për qind e votave të hedhura në zgjedhje u bënë përmes fletëvotimeve me postë ose votimit të hershëm personalisht, sipas të dhënave zgjedhore të mbledhura nga laboratori i shkencës së të dhënave zgjedhore në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT).
Në krahasim, vetëm 40 për qind votuan herët në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 33 për qind në zgjedhjet e vitit 2012, tregojnë të dhënat.
Shumë votues që më parë kanë votuar mund të vendosin tani për votim të hershëm personalisht, në vend të votimit në mungesë me postë, për të siguruar që votat e tyre do të numërohen, duke marrë parasysh problemet e mëdha me shërbimin postar amerikan.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të zhvillohen më 5 nëntor (e martë), ku për të marrë postin më të lartë të SHBA-së në garë janë demokratja, Kamala Harris dhe republikani, Donald Trump.