Ngritet aktakuzë për gjenocid në Srebrenicë: I varrosnin të vrarët dhe më pas i zhvarrosnin duke i zhvendosur

Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët akuzohen për veprën penale të gjenocidit, të kryer ndaj viktimave të kombësisë boshnjake pas rënies së Zonës së Mbrojtur të OKB-së Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Prokuroria e BiH ka ngritur aktakuzë kundër Dragan Jevtić (i lindur më 1965 në Zvornik, shtetas i BiH dhe Serbisë), Slavko Bogićević, i njohur si “Brko” (i lindur më 1955 në Zvornik, shtetas i BiH) dhe Damjan Lazarević (i lindur më 1953 në Zvornik, shtetas i BiH). Ata akuzohen se, gjatë sulmit të gjerë dhe sistematik të VRS-së dhe MUP-it të RS-së në zonën e mbrojtur të OKB-së Srebrenicë, kanë ndihmuar me vetëdije në kryerjen e veprës penale të gjenocidit ndaj viktimave boshnjake pas rënies së kësaj zone.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e komandantëve të Njësisë Inxhinierike brenda Brigadës së Zvornikut të VRS-së, në mesin e korrikut 1995, kanë marrë pjesë në përgatitjen e lokacioneve për ekzekutime masive, si dhe në sigurimin e mekanizmit dhe ushtarëve për varrosjen e trupave të viktimave të gjenocidit të pushkatuara në Srebrenicë, konkretisht:

  • në lokalitetin Orahovac së paku 860 viktima,

  • në Petkovci – diga së paku 815 viktima,

  • në Kozluk – zhavorrishte së paku 844 viktima,

  • në Pilica – Branjevo së paku 1.752 viktima.

Po ashtu, ata akuzohen se gjatë muajve shtator dhe tetor 1995, duke vepruar në koordinim dhe marrëveshje me strukturat e Brigadës së Zvornikut dhe Shtabit të Përgjithshëm të VRS-së, kanë organizuar dhe marrë pjesë në zhvendosjen e trupave të të vrarëve nga lokacionet primare në të paktën 24 varreza dytësore në zonën më të gjerë të Zvornikut, me qëllim fshehjen e krimit dhe vështirësimin e gjetjes së mbetjeve mortore.

Të pandehurit akuzohen për veprën penale Gjenocid, sipas nenit 171 të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës.

Kategoritë
LajmeRajoni