Nga 24 kamionë ndihma për Gazën, 23 janë grabitur – Palestinezët mbeten të uritur

Një organizatë humanitare e lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe ka bërë të ditur se nga 24 kamionë që kishte dërguar në Gazë ditët e fundit, të mbushur me miell dhe materiale për bukë, 23 janë grabitur dhe nuk kanë arritur asnjëherë në destinacionet e parashikuara, siç janë furrat e bukës apo depot në Rripin e Gazës.

Pamje nga grabitjet

Mediat në Gazë publikuan sot pamje ku shihen dhjetëra njerëz duke tentuar të grabisin një kamion me ndihma humanitare në qendër të qytetit të Gazës.

Në video duken njerëz duke zbrazur ndihmat nga mjeti, përpara se të dëgjohen të shtëna armësh, që shkaktuan shpërndarjen e turmës. Mbetet e paqartë nëse kamioni arriti në destinacion apo u grabit tërësisht.

Një incident i ngjashëm ndodhi dje në Khan Younis, ku, sipas raporteve, dhjetëra persona rrethuan një tjetër kamion ndihmash dhe morën të gjithë përmbajtjen e tij.

Situatë alarmante

Ministri palestinez i Shëndetësisë deklaroi të enjten se gjatë ditëve të fundit në Gazë kanë vdekur 29 fëmijë dhe të moshuar si pasojë e urisë, ndërsa mijëra të tjerë ndodhen në rrezik serioz.

Kombet e Bashkuara njoftuan më herët këtë javë se për të përmbushur nevojat e popullatës së zhvendosur në Gaza, janë të nevojshëm rreth 600 kamionë ndihma humanitare në ditë.

Kategoritë
BotaLajme