Nga 1 janari kosovarët udhëtojnë pa viza, PE voton pro liberalizimit

Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë të martë PE-ja ka miratuar vendimin final duke u dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza që nga 1 janari 2024.

Kujtojmë se me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga PE-ja kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor.

Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Para PE-së, pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars votoi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, duke thënë se lëvizja e lirë për kosovarët mund të ndodhë nga 1 janari i vitit 2024.

Kujtojmë se ditë më parë, blloku njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, heqja e vizave për kosovarët bëhet realitet më 1 janar 2024.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi