Netanyahu u lavdërua me një bisedë të mirë me Trump-in për Iranin, por mediat pretendojnë se nuk e tha të vërtetën e plotë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar kanë zhvilluar një bisedë telefonike të tensionuar rreth mënyrës së përballjes me Iranin, raportoi të hënën televizioni izraelit.

Kjo bie ndesh me pretendimet e mëparshme se të dy liderët kishin arritur një qëndrim të përbashkët për të ndaluar Teheranin nga sigurimi i armës bërthamore.

Sipas Kanalit 12, biseda u karakterizua nga mospajtime të forta dhe Trump-i thuhet se i ka thënë Netanyahut: “Unë dua një zgjidhje diplomatike me iranianët. Besoj në aftësinë time për të arritur një marrëveshje të mirë.”

Gjithashtu thuhet se ai ka theksuar interesin e tij për një marrëveshje që do t’i shërbente interesave të të dyja palëve.

Toni i kësaj bisede, sipas raportimeve, bie në kundërshtim me deklaratat e mëparshme që sugjeronin se të dy liderët kishin përfunduar telefonatën me mirëkuptim të ndërsjellë.

Në reagim, Zyra e Kryeministrit e mohoi për rrjetin televiziv se Netanyahu kishte pasur një “bisedë të tensionuar” me Trump-in.

Pas telefonatës së së enjtes, zyra e Netanyahut publikoi një deklaratë ku thuhej se ai dhe Trump “ranë dakord për nevojën që Irani të mos sigurojë armë bërthamore”.

Ndërkohë, Trump-i u shpreh për “përparim të vërtetë” në negociatat bërthamore në vazhdim mes SHBA-së dhe Iranit, duke parashikuar të dielën se mund të ketë “lajme të mira”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Teheranit deklaroi të hënën se ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave dhe se Republika Islamike nuk do të shqyrtojë pezullimin e përkohshëm të pasurimit të uraniumit, siç kërkojnë SHBA-të.

Raporti i Kanalit 12 për tensionet mes Netanyahut dhe Trump-it u publikua menjëherë pas një interviste të dhënë për Fox News nga ministrja amerikane e sigurisë kombëtare, Kristi Noem, e cila tha se “Presidenti Trump më dërgoi posaçërisht këtu për të biseduar me kryeministrin mbi ecurinë e negociatave dhe rëndësinë e unitetit për ta çuar përpara këtë proces.”

Noem, besnike e Trump-it dhe ish-guvernatore e Dakotës së Jugut, e përshkroi takimin me Netanyahun në Jerusalem si “shumë të sinqertë”.

Ajo shtoi se i kishte thënë Netanyahut “se sa të rëndësishëm janë Izraeli dhe mbështetja jonë ndaj tij, por edhe që këto negociata janë tejet të rëndësishme”.

“Kemi një afat shumë të shkurtër. Nuk po flasim për javë, muaj apo vite, përpara se presidenti Trump të marrë një vendim mbi atë që do të ndodhë me Iranin. Iranianëve u është dhënë një afat shumë i shkurtër, disa ditë, dhe i kërkova kryeministrit të bashkëpunojë me presidentin Trump për të marrë vendime të mençura së bashku,” tha Noem.

Kur u pyet nëse besonte se Izraeli e kishte shtyrë tashmë planin për një sulm të mundshëm ndaj Iranit — për të cilin disa raportime sugjeruan se po përgatitej ushtria izraelite — apo ende kanë synime për të sulmuar, Noem tha:

“Presidenti nuk do ta pranojë kurrë që Irani të ketë armë bërthamore. Kurrë nuk do ta pranojë që ata të kenë armë bërthamore apo të ndërtojnë kapacitete për këtë. Informacionet e inteligjencës që Izraeli ka dhe i ndan me SHBA-në, të cilat edhe ne i përdorim në këto bisedime, janë tejet të rëndësishme. Mesazhi për popullin amerikan është se kemi një president që dëshiron paqe, por nuk do të tolerojë kapacitetin bërthamor iranian në të ardhmen. Ai dëshiron që ky kryeministër, Benjamin Netanyahu, të jetë në të njëjtën gjatësi vale me të,” përfundoi Noem.

Kategoritë
BotaLajme