Grupi palestinez Hamas njoftoi se do të lirojë Edan Alexander, një shtetas izraelito-amerikan i mbajtur peng në Gaza që nga tetori 2023, si pjesë e përpjekjeve në vijim për të arritur një armëpushim në këtë territor.
Një burim i afërt me Hamasin i tha agjencisë AFP se lirimi i Alexander pritet të ndodhë të hënën ose të martën, në varësi të sigurimit të kushteve në terren. Nuk do të ketë ceremoni zyrtare dorëzimi.
“Me shumë gjasë, Edan do të lirohet sot ose nesër (të martën), por kjo kërkon kushte të sigurta në terren,” tha burimi.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të garantojnë një korridor të sigurt për lirimin e tij.
Media izraelite në gjuhën hebraike raportuan (ende jozyrtarisht) se IDF mund të ndalojë përkohësisht ofensivën nga pasditja e së hënës për të lehtësuar lirimin e pengut.
Por Netanyahu hodhi poshtë çdo ide për marrëveshje me Hamasin.
“Izraeli nuk ka rënë dakord për armëpushim apo për shkëmbim të të burgosurve me Hamasin,” tha ai të hënën, para lirimit të pritur të Edan Alexander.
Një burim i informuar për situatën deklaroi se lirimi i Alexander – i cili besohet të jetë pengu i fundit amerikan i gjallë në Gaza – është një gjest vullneti i mirë i Hamasit ndaj presidentit amerikan Donald Trump.
Netanyahu sqaroi se Izraeli vetëm ka lejuar kalimin e sigurt të pengut dhe se operacionet ushtarake nuk do të ndalen.
“Bisedimet do të vazhdojnë nën zjarr, ndërkohë që përgatitemi për intensifikimin e luftës,” thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së tij.