Lidhur me akuzat për gjenocid, ai pretendoi se “Izraeli po zbaton më shumë masa për të minimizuar viktimat civile sesa çdo ushtri në histori”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të hedhur poshtë akuzat për gjenocid dhe uri në Gaza, raporton Anadolu.
Duke mohuar raportet për uri në enklavën palestineze, Netanyahu pretendoi se “Izraeli po ushqen qëllimisht popullin e Gazës”.
Lidhur me akuzat për gjenocid, ai pretendoi se “Izraeli po zbaton më shumë masa për të minimizuar viktimat civile sesa çdo ushtri në histori”.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 65.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Duke e paraqitur konfliktin në terma më të gjerë, Netanyahu pretendoi se lufta e Izraelit ishte e pandashme nga siguria e Perëndimit.
“Jam i sigurt se ka njerëz në New York ose në Londër ose në Melburn e gjetkë që ndoshta mendojnë, çfarë lidhje ka e gjithë kjo me mua? Dhe përgjigja është… gjithçka, sepse armiqtë tanë janë armiqtë tuaj”, tha ai.
Ai akuzoi Iranin dhe grupet aleate se u përpoqën dy herë të vrasin presidentin e SHBA-së.
Fjalimi i Netanyahut në OKB erdhi mes largimit të një numri të madh delegatësh në shenjë proteste ndaj gjenocidit të vazhdueshëm izraelit në Gaza.