Netanyahu kërkon ndërprerjen e ndihmës së SHBA-së: Është si asistencë sociale, nuk e dua më

“Ekonomia e Izraelit nuk është më e vogël dhe është në gjendje të mbulojë në mënyrë të pavarur kostot e saj”, tha kryeministri izraelit, Netanyahu.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ndihma financiare e SHBA-së për Izraelin është “si asistencë sociale” dhe shtoi se dëshiron ta heqë gradualisht atë gjatë dekadës së ardhshme mes mosmarrëveshjeve në rritje midis Tel Avivit dhe Washingtonit, veçanërisht mbi politikën ndaj Iranit, transmeton Anadolu.

“Unë dua të ndaloj ndihmën e SHBA-së. Është si asistencë sociale. Nuk e dua atë”, tha Netanyahu në një intervistë për “Channel 14” të Izraelit të transmetuar të martën në mbrëmje.

Ai tha se ekonomia e Izraelit nuk është më e vogël dhe është në gjendje të mbulojë në mënyrë të pavarur kostot e saj. “Financimi i SHBA-së përfaqëson një pjesë të vogël të produktit të brendshëm bruto dhe Izraeli tani ka kapacitete të mjaftueshme financiare për të mbuluar shumën tërësisht nga burimet e veta”, tha ai.

I pyetur nëse Izraeli duhet të ndalojë marrjen e ndihmës amerikane, Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për akuzat në lidhje me krimet e luftës në Rripin e Gazës, u përgjigj: “Po”.

“Dua një fazë 10-vjeçare që do të zvogëlojë gradualisht varësinë e Izraelit nga SHBA-ja”, tha ai. Netanyahu tha se ekonomia e Izraelit po i afrohet 1 trilion dollarëve dhe do të jetë në gjendje të financohet duke filluar nga viti i ardhshëm.

Në një intervistë të mëparshme për “60 Minutes” të CBS më 11 maj, Netanyahu tha se Izraeli duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet e tij financiare me SHBA-në. “Absolutisht. Dhe këtë ia kam thënë presidentit Trump. Ua kam thënë njerëzve tanë”, tha ai në atë kohë.

Netanyahu theksoi se procesi duhet të fillojë menjëherë dhe të vazhdojë gjatë dekadës së ardhshme.

SHBA-ja është aleati më i madh i Izraelit. Në vitin 2016, të dyja palët nënshkruan marrëveshje 10-vjeçare që mbulon periudhën 2019-2028, sipas së cilës ndihma e SHBA-së për Izraelin arrin në rreth 38 miliardë dollarë.

Mosmarrëveshjet midis Tel Avivit dhe Washingtonit janë shtuar kohët e fundit lidhur me negociatat në vazhdim me Iranin dhe një memorandum mirëkuptimi midis dy palëve.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se administrata e Trumpit mënjanoi Tel Avivin nga bisedimet me Washingtonin dhe nuk mori plotësisht parasysh interesat e Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme