Netanyahu e pranon përdorimin e mediave sociale si armë për të ndikuar në opinionin amerikan gjatë gjenocidit në Gaza

Netanyahu i përshkroi mediat sociale si “arma më e rëndësishme … për të siguruar bazën tonë në SHBA”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi të premten se qeveria e tij i sheh platformat e mediave sociale si “armë” për të ndikuar në opionionin e SHBA-së në favor të Izraelit, mes dënimit për gjenocidin e vazhdueshëm izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.

Në një takim me ndikues amerikanë në Konsullatën e Përgjithshme të Izraelit në New York dhe të publikuar në një video në llogarinë e ndikueses Debra Lea në platformën amerikane X, Netanyahu i përshkroi mediat sociale si “arma më e rëndësishme … për të siguruar bazën tonë në SHBA”.

Ai e identifikoi TikTok-un si “blerjen më të rëndësishme që po ndodh tani”, duke pretenduar se kontrolli i tij mund të jetë “me rezultate”.

Netanyahu përmendi gjithashtu X-in, duke thënë: “Duhet të flasim me Elonin (Musk). Ai nuk është armik, është mik”.

Ai pretendoi se nëse mund të sigurohej ndikim mbi TikTok-un dhe X-in, Izraeli do të “fitonte shumë”.

Të enjten, presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vërtetonte se një marrëveshje që do të transferojë operacionet e TikTok-ut në SHBA një konsorciumi amerikan përmbush kërkesat e sigurisë kombëtare të përcaktuara nga një ligj vendas.

Trump tha se konsorciumi i investitorëve do të përbëhet nga kompania teknologjike Oracle, Michael Dell, Rupert Murdoch dhe të tjerë.

Vitet e mbështetjes së hapur të themeluesit të Oracle, Larry Ellison, për Izraelin kanë ngjallur shqetësime se autoriteti i kompanisë mbi TikTok-un do të përdoret në dobi të qeverisë izraelite.

Komentet e Netanyahut erdhën ndërsa Izraeli qëndron gjithnjë e më i izoluar për shkak të luftës së tij gjenocidale në Gaza, ku gati 65.600 palestinezë, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.

Netanyahu foli në një sallë kryesisht të zbrazët në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pasi shumë delegacione dolën në shenjë proteste ndaj gjenocidit të Izraelit në Gaza, i cili tani po i afrohet vitit të tretë.

Kategoritë
BotaLajme