Nëntë raste të fruthit në Kosovë në maj, IKSHPK: Pasojë e mosvaksinimit

Në Kosovë janë shënuar nëntë raste të fruthit në javën e dytë të majit tek fëmijët nga 1 deri në 5 vjeç, njoftoi të mërkurën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Instituti njoftoi në Facebook se 4 raste janë raportuar nga Ferizaj; 2 nga Shtimja dhe nga 1 rast në Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.
Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).
“IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të importuara, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit”, thuhet në njoftim.
Nga IKSHPK-ja thonë se shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Kosovë është mbi 90%.
Normat e vaksinimit me dozën e parë të vaksinës MMR ranë nga 96% në vitin 2019 në 93% në vitin 2022 në të gjithë Evropën. Marrja e dozës së dytë, ndërkaq, ra nga 92% në 91%.
Fruthi është një infeksion i shkaktuar nga një virus dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është një prej sëmundjeve më ngjitëse.

Kategoritë
LajmeVendi