Banka italiane UniCredit dhe ajo austriake Raiffeisen Bank International kanë njoftuar se, së bashku me edhe shtatë banka të tjera evropiane, do të themelojnë një kompani që do të emetojë një kriptovalutë “të denominuar në euro” dhe të mbuluar me asete tradicionale financiare.
Përveç UniCredit dhe Raiffeisen Bank International, grupi përfshin edhe bankën belge KBC, bankën daneze Danske Bank, gjermane DekaBank, suedeze SEB dhe spanjolle CaixaBank, ndërsa është e mundur që t’i bashkohen edhe banka të tjera, thuhet në deklaratë.
Selia e kompanisë së re do të jetë në Holandë dhe do të funksionojë me licencë dhe nën mbikëqyrjen e bankës qendrore holandeze si një institucion parash elektronik.
Emetimi i kriptovalutës së mbuluar me asete tradicionale dhe “të denominuar në euro” është planifikuar për gjysmën e dytë të vitit 2026 dhe do të jetë në përputhje me rregulloret e BE-së për tregjet e kripto-aseteve (MiCA), duke mundësuar pagesa të shpejta dhe me kosto të ulët, 24 orë në ditë, tha zëdhënësi i DekaBank në Gjermani, raporton reuters.
Emetuesit lidhin paratë digjitale me monedha standarde si dollari apo euro, por edhe me mallra si ari dhe argjendi apo instrumente financiare, për të shmangur luhatjet e papritura të vlerës.
Kriptovaluta ofron potencial për transaksione ndërkufitare efikase, pagesa të automatizuara dhe përmirësime në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit dhe në përpunimin e aseteve digjitale, thekson deklarata e grupit të bankave.