Partitë e komuniteteve në Kosovë, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, mund të presin ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, ndonëse votat nga diaspora dhe votat me kusht ende nuk janë numëruar plotësisht shkruan Telegrafi.
Te komuniteti serb prin Lista Serbe me 6.18% apo gjithsej 43,071 vota, që pritet t’i sigurojë 9 ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Nenad Rashiq dhe partia e tij, pavarësisht presionit nga Serbia dhe zyrtarët e Listës Serbe, sipas rezultateve të deritanishme sigurojnë 1 ulëse në parlament. Partia e tij ka marrë 0.76% apo 5,285 vota.
Te komuniteti turk në Kosovë, KDTP ka marrë 0.77% apo 5,337 vota, duke siguruar 2 deputetë.
Siç shkruan Telegrafi, te komuniteti boshnjak, “Koalicioni Vakat” ka marrë 0.55% me 3,810 vota dhe siguron një ulëse, ndërsa SDU e Duda Baljes ka 0.38% apo 2,637 vota dhe siguron një deputet. Partia e Emilija Rexhepit, NDS, ka 0.36% apo 2,519 vota dhe po ashtu siguron një ulëse.
Ndërkohë, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) ka 0.46% me 3,196 vota dhe siguron një deputet. Partia Liberale Egjiptiane (PLE) ka 0.25% me 1,751 vota, ndërsa Jedinstvena Goranska Partija e Adem Hoxhës ka 0.25% me 1,749 vota – të dyja sigurojnë nga një ulëse secila.Sipas kësaj ndarjeje, shpërndarja e 20 vendeve të rezervuara për komunitetet në Kuvendin e Kosovës pritet të mbetet e ndarë mes disa subjekteve politike, ku Lista Serbe (SL) mbetet me 9 ulëse. Partia Demokratike Turke e Kosovës siguron 2 vende, ndërsa nga një ulëse pritet të kenë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (SPO), Koalicioni Vakat, Bashkimi Social Demokrat (SDU), Partia e Re Demokratike (NDS), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Ashkali për Integrim (PSA), Partia e Rome e Bashkuar Kosovës si dhe Jedinstvena Goranska Partija./Telegrafi/.


















