Në sulmin ndaj aeroportit në Riad vriten 12 persona, mbi 300 të plagosur

Në sulmin ndaj aeroportit në Riad vriten 12 persona, mbi 300 të plagosur

Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 309 të tjerë janë plagosur në sulmin e së shtunës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad, njoftoi Autoriteti Saudit i Aviacionit Civil, transmeton Associated Press.

Në mesin e viktimave janë katër shtetas të Arabisë Saudite dhe dy shtetas të Bangladeshit. Po ashtu kanë humbur jetën nga një shtetas i SHBA-së, Egjiptit, Jordanisë, Sirisë, Palestinës dhe Sudanit. Sipas njoftimit, disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.

Një zyrtar rajonal, i cili foli për AP në kushte anonimiteti, tha se predha goditi kompleksin e terminaleve 3 dhe 4, prej nga realizohen fluturimet e brendshme.

Autoritetet saudite kanë pezulluar funksionimin e aeroportit, ndërsa fluturimet janë devijuar drejt aeroporteve të tjera. SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Australia dhe Kanadaja u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që ta shmangin aeroportin.

Huthët, të mbështetur nga Irani, kishin marrë përgjegjësinë më herët gjatë javës për sulme ndaj të njëjtit aeroport, ndërsa pas sulmit të së shtunës nuk pati menjëherë ndonjë reagim prej tyre.

Sulmet janë intensifikuar pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një ofensivë të madhe ushtarake kundër Huthëve në Jemen.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrton nëse SHBA-ja duhet t’u bashkohet sulmeve saudite ndaj Huthëve.

“Ndosh­ta. Do ta shqyrtojmë. Sapo morëm vesh për sulmin e fundit. Do të marrim një vendim. Veprojmë shpejt”, tha Trump.

Sipas të dhënave të faqes FlightAware, të cituara nga AP, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në aeroportin e Riadit janë anuluar të paktën 291 fluturime.

Kategoritë
BotaLajme