Ministria e Shëndetësisë e Sudanit njoftoi për një rritje të rasteve me kolerë në vendin e shkatërruar nga lufta, me 2.700 infektime dhe 172 viktima vetëm gjatë javës së kaluar.
Në deklaratën e së martës, ministria bëri të ditur se 90% e rasteve janë regjistruar në shtetin e Khartoumit, ku furnizimi me ujë dhe energji elektrike është ndërprerë rëndë në javët e fundit për shkak të sulmeve me dronë, për të cilat fajësohen Forcat Paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), që janë në luftë me ushtrinë që nga prilli i vitit 2023.
Raste të kolerës janë raportuar gjithashtu në jug, qendër dhe veri të vendit.
Kolera është endemike në Sudan, por shpërthimet janë bërë më të shpeshta dhe më të rënda që nga shpërthimi i luftës, e cila ka shkatërruar infrastrukturën tashmë të brishtë të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ministria e Shëndetësisë kishte raportuar të martën e kaluar se 51 persona kishin humbur jetën nga kolera dhe se ishin regjistruar mbi 2.300 raste të tjera gjatë tri javëve të fundit, 90% e të cilave në shtetin e Khartoumit.
Këtë muaj, RSF ndërmori sulme me dronë në mbarë Khartoumin, përfshirë edhe tre termocentrale, përpara se të tërhiqej nga pozicionet e fundit në kryeqytet javën e kaluar.
Për shkak të këtyre sulmeve, energjia elektrike u ndërpre – gjë që solli më pas edhe ndërprerjen e rrjetit të ujësjellësit lokal, sipas Mjekëve pa Kufij (MSF). Si rezultat, banorët u detyruan të përdorin burime të pasigurta të ujit.
“Stacionet për filtrimin e ujit nuk kanë më energji elektrike dhe nuk mund të sigurojnë ujë të pastër nga lumi Nil,” tha Slaymen Ammar, koordinator mjekësor i MSF në Khartoum.
Kolera, e cila shkakton diarre akute dhe transmetohet përmes konsumimit të ujit ose ushqimit të kontaminuar, mund të shkaktojë vdekje brenda pak orësh nëse nuk trajtohet. Megjithatë, ajo mund të parandalohet dhe trajtohet lehtësisht nëse ka ujë të pastër, kanalizime funksionale dhe kujdes mjekësor në kohë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sistemi shëndetësor sudanez, tashmë i brishtë, është çuar në “pikën e kolapsit” nga lufta.
Sipas sindikatës së mjekëve, deri në 90% e spitaleve në vend janë detyruar të mbyllen në një moment apo tjetër për shkak të luftimeve. Shumë prej tyre janë bombarduar, sulmuar apo plaçkitur në mënyrë të përsëritur.
Lufta, e cila ka hyrë në vitin e tretë, ka shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur, ka zhvendosur 13 milionë persona dhe ka krijuar krizën më të madhe në botë të zhvendosjes dhe urisë.