Në Slloveni i është prerë koka statujës 6 metra të Titos. U gjet në një makinë me targa kroate

Në Sheshin e Titos në qytetin slloven Velenje, gjatë natës një autor i panjohur ka dëmtuar rëndë monumentin e Josip Broz Titos dhe i ka hequr kokën prej bronzi. Policia së shpejti ka identifikuar të dyshuarin, një 49-vjeçar, dhe kokën e skulpturës më shumë se gjashtë metra të lartë e ka gjetur në bagazhin e makinës së tij. Autoritetet lokale e kanë dënuar ashpër sulmin.

Policia e ndaloi me kokën në bagazh

Sipas mediave sllovene, një qytetar nga Velenje ka telefonuar stacionin e policisë dhe ka njoftuar se pranë shkollës së muzikës ka parë një burrë duke futur një objekt metalik të madh në një makinë të errët Škoda Kodiaq, e më pas është larguar drejt kryqëzimit të rrugëve Tomšičeva dhe Jenkova.

Një patrullë policie që po monitoronte trafikun në qytet e ndaloi pak më vonë një shofer 49-vjeçar në rrugën Cesta Simona Blatnika, i cili përputhej me përshkrimin. Në automjet ai kishte dy palë targa kroate të ndryshme.

Policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një banor të zonës së PP Velenje, i cili në bagazh fshehte kokën prej bronzi të skulpturës së Josip Broz Titos, mbi gjashtë metra e lartë.

Policia: Kjo është profanimi i trashëgimisë kulturore

Nga Drejtoria Policore Celje kanë deklaruar se bëhet fjalë për “një akt profanimi të trashëgimisë kulturore dhe historike”. Hetimet po vazhdojnë, dhe policia po mbledh informacione lidhur me dyshimet për veprën penale të dëmtimit ose shkatërrimit të një objekti me rëndësi të veçantë kulturore apo me vlerë natyrore.

Qyteti Velenje: “Nuk ka vend për vandalizëm”

Nga administrata e qytetit është njoftuar se do të ndërhyhet sa më shpejt në riparimin e monumentit dhe kthimin e tij në gjendjen e mëparshme. “Komuna e Velenjes e dënon fuqishëm këtë akt dhe thekson se në qytetin tonë nuk ka vend për vandalizëm dhe sulme ndaj trashëgimisë kulturore e historike”, thuhet në komunikatë.

Në Facebook është deklaruar edhe kryetari i komunës, Peter Dermol. “Vepër e turpshme,” ka shkruar ai, duke shtuar se respektimi i trashëgimisë kulturore duhet të jetë një nga vlerat kyçe të komunitetit.

Monumenti i vendosur në vitin 1999, i punuar nga një skulptor kroat

Monumenti i Josip Broz Titos, udhëheqësit të RSFJ-së dhe lëvizjes partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vendos në Velenje në vitin 1999 me iniciativën e komunitetit lokal. Skulptura prej bronzi është punuar nga skulptori kroat Antun Augustinčić, shkruan STA.

Kategoritë
LajmeRajoni