Në Francë kanë mbërritur të parët “refugjatë shkencorë” nga Amerika, duke kërkuar “shpëtim” nga Donald Trump

Akademikët e parë që “po ikin” nga SHBA-ja nën presidencën e Donald Trumpit kanë mbërritur në Francë, dhe arsyeja e largimit është politika e përgjithshme e Shtëpisë së Bardhë ndaj universiteteve.

Universiteti Aix-Marseille prezantoi javën e shkuar tetë studiues me bazë në SHBA që janë në fazën finale për t’u bashkuar me programin universitar “Vendi i Sigurt për Shkencën” (Safe Place for Science), i cili synon të tërheqë hulumtuesit që kanë përjetuar ose frikësohen nga reduktimi i financimit nën administratën e Trumpit.

Ndërsa edhe Franca e Bashkimi Evropian kanë nisur programe me vlerë miliona euro për të tërhequr studiues nga SHBA-ja që prej marrjes së detyrës nga Trumpi në janar, iniciativa e AMU-së ishte e para e këtij lloji në vend, që do të thotë se këta tetë studiues janë “refugjatët” e parë akademikë që planifikojnë të zëvendësojnë SHBA-në me Francën.

Duke folur nga laboratori i astrofizikës në universitet, rektori i AMU-së, Éric Berton, krahasoi situatën me atë të akademikëve evropianë që arratiseshin nga persekutimi i Gjermanisë naziste para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore:

“Ajo që po ndodh sot nuk është e ndarë nga një periudhë tjetër e errët e historisë sonë.”

Berton dhe ish-presidenti francez François Hollande po mbështesin futjen e statusit të “refugjatit shkencor”.

Pasi shumica e studiuesve që morën pjesë në fjalimin e Bertonit ende nuk kanë nënshkruar kontratat me AMU-në, ata kërkuan të mbeten anonimë për t’i mbrojtur vendet e punës në SHBA në rast se nuk pranojnë ose refuzojnë ofertën.

AMU deklaroi se 298 studiues nga universitete prestigjioze, përfshirë Stanford dhe Yale, kanë aplikuar, pavarësisht se universiteti nuk ka emër të madh ndërkombëtar krahasuar me disa institucione pariziane.

Universiteti ka ndarë tashmë 15 milionë euro për financimin e programit dhe po bëhet lobim te qeveria franceze për ta dyfishuar këtë shumë, çka do të mundësonte pothuajse dyfishimin e numrit të pozicioneve të parashikuara, nga 20 në 39.

Megjithatë, zhvendosja në një vend ku anglishtja nuk është gjuhë zyrtare është një hap i madh. Konsiderohet edhe çështja e pagave, që për akademikët në Francë janë më të ulëta se në SHBA, si dhe fakti që ka më pak mjete për kërkim.

Rektori i universitetit insistoj që pjesëmarrësit e programit “Vendi i Sigurt për Shkencën” do të paguhen po aq sa studiuesit francezë.

Kjo deklaratë synonte të qetësonte shqetësimet brenda komunitetit akademik francez se fondet tani do të drejtoheshin për të tërhequr shkencëtarë amerikanë, ndërkohë që studiuesit vendas prej kohësh ankohen për financim të pamjaftueshëm.

Kategoritë
BotaLajme