Ndryshimi i pushtetit në Serbi, a do të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe dorëzim të Radoiçiqit?

Ndryshimi i pushtetit në Serbi, a do të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe dorëzim të Radoiçiqit?

Ndryshimi i pushtetit në Serbi ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e raporteve me Kosovën, veçanërisht për çështjet që mbetën të pazgjidhura gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit. Mes pritjeve për një qasje të re politike, mbetet e hapur çështja e dorëzimit të Milan Radoiçiqit, i kërkuar nga autoritetet kosovare për sulmin në Banjskë. Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, dhe avokati Arbër Jashari kanë vlerësime të ndryshme për mundësinë e ndryshimeve, por theksojnë rëndësinë e zhvillimeve të ardhshme në Serbi.

Kryeziu-Hyseni në një prononcim për Ekonomia Online, e konsideron të rëndësishme goditjen që, sipas saj, ka marrë regjimi i deritanishëm, por thekson se mbetet të shihet nëse udhëheqja e re do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës dhe orientimin ndërkombëtar të Serbisë.

“Është shumë e rëndësishme që Vuçiqi nuk është më në krye të Serbisë dhe është shumë e rëndësishme që regjimi i tij ka marrë një goditje të madhe në zgjedhjet e së dielës. Pra, as ai dhe as bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Ivica Daçiq, që kanë qenë nxënës të ish-presidentit Millosheviç, i cili ka kryer krime të rënda, të njëpasnjëshme në Republikën e Kosovës, nuk janë më në krye të Serbisë. Kjo është një mesazh shumë i rëndësishëm”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Ajo ka veçuar edhe përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, duke e cilësuar si një nga arritjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, pas bashkimit të partive shqiptare dhe mobilizimit të votuesve.

“Fakti që shqiptarët po përfaqësohen me dy deputetë, pjesëmarrja më e madhe ndonjëherë e shqiptarëve në votim dhe përfaqësimi më i lartë që nga viti 2000, është shumë i rëndësishëm. Kjo ndodhi pas një përbashkimi të të gjitha partive shqiptare atje dhe një pune të madhe e të jashtëzakonshme për të arritur ndikimin dhe përgjegjësinë brenda Kuvendit të Serbisë. Kjo është arritja më e madhe e këtij procesi zgjedhor për shqiptarët”, është shprehur ajo.

Sipas deputetës së LVV-së, ky rezultat merr rëndësi të veçantë për shkak të sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave dhe, siç tha ajo, shtypjet e vazhdueshme në institucione.

“Pavarësisht gjithë këtij ambienti të minuar, ata kanë arritur që të përfaqësohen me dy deputetë tashmë në Kuvendin e Serbisë. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme, sepse do të shtyhen edhe më tej të drejtat e shqiptarëve, ashtu siç është bërë natyrshëm edhe në kohën kur shqiptarët atje janë përfaqësuar vetëm nga deputeti Shaip Kamberi”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.

Megjithatë, ajo ka theksuar se çështja kryesore për Kosovën mbetet mënyra se si do të pozicionohet udhëheqja e re e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe nëse do të ketë ndryshim të politikave të ndjekura nga pushteti i deritanishëm.

“Çështja këtu është Kosova dhe, kur flasim për atë se sa pritet të ndryshojë qasja serbe tash që kemi një kastë të re politike, pyetja është se si do të pozicionohen ata në raport me çështjen e Kosovës. Nëse qëndrimi i tyre do të vazhdojë të jetë i njëjtë, atëherë kjo do të thotë se nuk do ta kenë prioritet ta shtyjnë përpara vendin drejt Bashkimit Evropian, por do të ngecin aty ku kanë qenë kur vendi udhëhiqej nga Aleksandar Vuçiq”, ka thënë ajo.

Kryeziu-Hyseni ka shprehur dyshime se ndryshimi i përbërjes politike do të sjellë domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës, duke kërkuar që Serbia të qartësojë orientimin e saj ndërkombëtar.

“Është shumë e rëndësishme të shihet se çfarë qasje do të tregojë lista studentore karshi Republikës së Kosovës, për të kuptuar nëse do të ndryshojë mendësia politike apo do të vazhdojë e njëjta. Pak a shumë, tashmë e dimë cili është qëndrimi i tyre në raport me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Serbia të pozicionohet qartë: a do të vazhdojë ta ndjekë rrugën e Vuçiqit drejt bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, apo dëshiron të orientohet nga Bashkimi Evropian dhe të bashkëpunojë me shtetet e tij. Nuk mendoj se e kanë ndërmend ta bëjnë këtë, ani pse kemi një kastë të re politike që pritet të vijë në krye të institucioneve atje”, ka deklaruar deputetja e LVV-së.

Sa i përket kërkesës për dorëzimin e Milan Radoiçiqit, Kryeziu-Hyseni ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje në takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka shprehur pritjen që edhe Bashkimi Evropian të shtojë trysninë ndaj Serbisë.

“Këtë ne madje edhe e kemi bërë dhe po e bëjmë vazhdimisht në takimet e ndryshme që po i kemi me delegacione të instancave të ndryshme ndërkombëtare. Është shumë e rëndësishme që të dorëzohet një kriminel i cili organizoi një sulm terrorist me urdhër të Vuçiqit brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe kështu cenoi rëndë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Ai duhet të japë përgjegjësi për veprimet që i ka bërë dhe është shumë e rëndësishme që kjo çështje të kërkohet tani edhe në instanca zyrtare, kur veçse pritet që së shpejti të kemi formimin e institucioneve atje”, ka thënë ajo.

Kryeziu-Hyseni ka shtuar se kërkesa për përgjegjësi ndaj Radojiçiqit do të vazhdojë pavarësisht ndryshimeve politike, duke vlerësuar se edhe shtetet e BE-së duhet ta rishikojnë qasjen e tyre ndaj Serbisë.

“Siç e kemi bërë vazhdimisht, çfarëdo lloj rrethane në të cilën jemi gjendur, do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej. Besoj që këtë do ta bëjnë edhe shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat tashmë besoj e kanë kuptuar kush është rreziku dhe nga kush kanoset siguria e paqja e shteteve, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Duhet të ndryshojë edhe qasja e Bashkimit Evropian karshi Serbisë, në rast se politikat e saj do të vazhdojnë ta kenë të njëjtën kahje”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, ka shprehur shpresën se ndryshimet politike në Serbi mund të hapin rrugë për bashkëpunim më konstruktiv dhe përparim në çështjet e drejtësisë.

“Po urojmë që do të ketë ndryshime pozitive. Është mirë që rajoni ynë këtu po demokratizohet secilën herë më shumë dhe urojmë që edhe në aspektin e drejtësisë të dorëzohen kriminelët, ata që kanë kryer vepra kriminale dhe terroriste në Kosovë”, ka deklaruar Rugova për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se pret që udhëheqja e re të jetë më bashkëpunuese, duke përfshirë edhe çështjet e mbetura pezull nga periudha e qeverisjes së mëparshme.

“Uroj që të kemi një bashkëpunim më konstruktiv kësaj here me qeverinë e re që krijohet në Serbi dhe që të ketë lëvizje pozitive edhe në atë drejtim, domethënë në aspektin e drejtësisë, për çështjet që kanë mbetur nga hera e kaluar”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, edhe Bashkimi Evropian duhet ta shtojë trysninë ndaj Serbisë për të siguruar përparim në këtë drejtim.

“Besoj që tash trysnitë nga Bashkimi Evropian duhet të jenë edhe më të larta, sidomos në aspektin e drejtësisë, dhe uroj që të ketë një përfundim pozitiv”, është shprehur ai.

Një pritje më të rezervuar për ndryshimet e mundshme në raportet Kosovë-Serbi ka avokati Arbër Jashari.

Ai ka theksuar se, ndonëse ndryshimi politik ka ardhur përmes zgjedhjeve, procesi i bartjes së pushtetit ende duhet të përfundojë dhe udhëheqja e re të konsolidohet.

“Natyrisht, Vuçiqi ka rënë përmes votës së lirë, përmes zgjedhjeve, por deri te tranzicioni i pushtetit do të duhet akoma kohë. Ta presim njëherë tranzicionin e pushtetit. Ata që i kanë fituar zgjedhjet, lista e studentëve, do të duhet ta konsolidojnë pushtetin. Shpresoj të kemi një tranzicion normal në Serbi”, ka thënë Jashari.

Ai ka vlerësuar se, të paktën deri më tani, qëndrimet e listës studentore ndaj Kosovës nuk dallojnë dukshëm nga ato të pushtetit të mëparshëm, çka sipas tij e bën të pasigurt mundësinë e ndryshimeve në çështjen e ekstradimit të personave të kërkuar nga autoritetet kosovare.

“Sa i përket çështjes së Kosovës, ashtu siç është thënë dhe siç kemi informata deri më tani, nuk është që ata kanë qëndrim ndryshe nga pushteti i vjetër në Serbi. Qëndrimet e listës së studentëve në raport me Kosovën pothuajse janë të njëjta. Kjo reflekton edhe në aspektin e ekstradimeve, ose më mirë të them, në aspektin e ndihmës juridike dhe bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çështje penale”, ka deklaruar Jashari për Ekonomia Online.

Sipas tij, përpara se të trajtohen çështje të ndjeshme si ajo e Radoiçiqit, udhëheqja e re pritet të përqendrohet në konsolidimin e pushtetit dhe në çështjet që kanë qenë përcaktuese për fitoren e saj.

“Si pikë e parë, do të ndodhë tranzicioni i pushtetit dhe konsolidimi i tij nga ana e fituesve të rinj. Pastaj besoj që në rend të ditës do të jenë çështjet më kryesore me të cilat ata kanë ardhur dhe kanë fituar pushtetin, duke i shmangur temat e ngjashme siç është tema e Kosovës. Çështja e ekstradimit të personave të kërkuar nga ana e Kosovës është shumë e ndjeshme për ta dhe nuk besoj që do ta prekin tani”, ka thënë ai.

Jashari ka përmendur edhe pengesat juridike dhe politike që, sipas tij, mund ta vështirësojnë bashkëpunimin në këtë fushë, duke përfshirë qëndrimin kushtetues të Serbisë ndaj Kosovës dhe mungesën e një marrëveshjeje për bashkëpunim juridik në kushte reciprociteti.

“Serbia në Kushtetutë e njeh Kosovën si pjesë të tërësisë së vet territoriale dhe kjo është pika e parë që, sipas tyre, e pengon ekstradimin. E dyta, nuk besoj që do të kemi marrëdhënie të atilla saqë Kosova dhe Serbia të lidhin një marrëveshje në kushte reciprociteti, pasi që besoj se është akoma herët për këtë temë dhe pushtetarët e rinj do t’u shmangen këtyre çështjeve”, është shprehur avokati.

Duke folur posaçërisht për Radoiçiqin, Jashari ka thënë se nuk pret ndryshim të shpejtë të sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës, të paktën në vitet e para të konsolidimit të pushtetit të ri. Sipas tij, trajtimi i kësaj çështjeje mund të ketë kosto politike për udhëheqjen e re.

“Nuk shoh shumë ndryshim në raport me sjelljen e Serbisë karshi Kosovës edhe nga ana e pushtetarëve të rinj që do të vijnë në pushtet. Të paktën në vitet e para të konsolidimit të pushtetit të tyre, kjo është një çështje e ndjeshme për ta, një çështje për të cilën mund të marrin poena negative në opinion. Prandaj besoj që do ta shmangin deri në fund”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Jashari e konsideron të rëndësishëm presionin ndërkombëtar, duke theksuar se rezultati do të varet edhe nga orientimi politik i personave që do të marrin drejtimin e institucioneve serbe.

“Gjithsesi, trysnia ndërkombëtare është e mirëseardhur dhe shpesh ka treguar që bën punë. Varet edhe se kush do ta ketë primatin brenda asaj liste, sepse aty ka edhe liberalë dhe njerëz që kanë orientim perëndimor, por ka edhe njerëz të tjerë që kanë orientime të ndryshme. Varet kush do ta udhëheqë Serbinë dhe nëse do të ketë guxim të përballet me realitetin e ri, pra me Kosovën, dhe ta neutralizojë opinionin publik atje në rast se merr vendim që ta ekstradojë Radojiçiçin në Kosovë”, ka thënë Jashari.

Aleksandar Vuçiq është rrëzuar nga pushteti pas 14 vitesh dominim politik në Serbi, duke pësuar një humbje të thellë historike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 25 tetor 2026.

Zgjedhjet me shumëçka në lojë në këtë vend kandidat për në BE e kanë zanafillën në nëntor të vitit 2024, kur një strehë betoni u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke vrarë 16 njerëz. Tragjedia shkaktoi protesta mes studentëve, të cilat u shndërruan me shpejtësi në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë, teksa provat tregonin se për shembjen e strehës faji ishte te ndërtimi i bërë shkel e shko, mashtrimi dhe korrupsioni.

Teksa Vuçiqi – udhëheqësi gjithnjë e më autoritar që ka mbizotëruar politikën serbe për më shumë se një dekadë përballej me presionin në rritje nga studentët, muajin e kaluar dha dorëheqjen nga posti i presidentit për të provuar fatin me zgjedhje të parakohshme.

Studentët e shfrytëzuan mundësinë për ta shndërruar lëvizjen në fuqi politike. Ata shpallën një listë prej 250 kandidatësh për parlamentin me 250 vende, nga akademikë te sportistë e fermerë, dërsa u bënë thirrje votuesve të mbështesnin përpjekjen e tyre për të rindërtuar ekonominë e Serbisë dhe për të rivendosur demokracinë e saj.

Fushata i vuri ata përballë monolitit politik të partisë SNS të Vuçiqit, duke i lënë në një betejë të vështirë kundër një partie në pushtet që kishte marrë nën kontroll pothuajse të gjitha kanalet televizive e radiofonike dhe që përdorte ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore si mjete politike.

Vuçiqi ishte përpjekur vazhdimisht t’i minonte studentët duke i akuzuar se ishin vegla të fuqive të huaja, një akuzë të cilën studentët e kanë hedhur poshtë. Teksa premtonte rritjen e pensioneve dhe të pagave në sektorin publik, Vuçiqi u përpoq ta paraqiste veten si një udhëheqës të aftë për të ruajtur ekuilibrin e vështirë diplomatik mes lidhjeve të vendit me Perëndimin dhe me Rusinë e Kinën, për ta udhëhequr Serbinë përmes pasigurive globale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi