Të paktën 70 palestinezë janë vrarë të mërkurën nga sulmet ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur autoritetet lokale shëndetësore, ndërsa bombardimet janë intensifikuar gjatë vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Lindjen e Mesme.
Sipas punonjësve mjekësorë, shumica e viktimave – përfshirë gra dhe fëmijë – janë vrarë nga një sërë sulmesh ajrore izraelite mbi shtëpitë në zonën Jabalia, në veri të Gazës.
“Në mesin e viktimave ka ende trupa nën rrënoja, ku ekipet e shpëtimit dhe të emergjencës nuk mund të arrijnë,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pamjet e Reuters tregojnë banorë që kthehen në rrënojat e shtëpive të tyre. Disa prej tyre po kontrollonin mbetjet e mureve dhe mobilieve, duke kërkuar dokumente dhe sende personale.
“Hodhën dy raketa, na thanë se shtëpia ishte goditur. Vrapuam atje dhe pamë pjesë trupash në tokë – fëmijë të vrarë, një grua e vrarë dhe një foshnjë e vrarë. Foshnja ishte vetëm dy muajshe,” tha një banor i Gazës, i cili humbi të afërm në sulmin në Jabalia.
Shtypi izraelit të mërkurën ka cituar zyrtarë të sigurisë që besojnë se lideri ushtarak i Hamasit, Mohammad Sinwar, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, janë vrarë në sulmin e së martës ndaj, siç e përshkruan ushtria izraelite, një bunker komande nën Spitalin Evropian në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim nga ushtria izraelite apo nga Hamasi. Të mërkurën, dëshmitarë dhe mjekë kanë njoftuar se një sulm ajror izraelit ka goditur një buldozer që po afrohej drejt zonës së sulmit në Spitalin Evropian, duke plagosur disa persona.
Palestinezët shpresojnë që vizita e Trumpit në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të sjellë presion për uljen e dhunës. Hamasi të hënën ka liruar Edan Alexanderin, pengun e fundit të njohur amerikan ende gjallë.