Fëmija dyvjeçar, i cili u plagos rëndë gjatë festimeve të Vitit të Ri, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike në Shkup, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, njoftuan autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimeve, në momentin e ngjarjes fëmija ndodhej jashtë me nënën e tij dhe po shikonte fishekzjarrët, kur u godit nga një projektil metalik, për të cilin dyshohet se ishte plumb endacak i qëlluar nga armë zjarri.
Pas incidentit, fëmija u dërgua me urgjencë në spital. Fillimisht u trajtua në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit, ndërsa për shkak të gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore u transferua më pas në Klinikën Pediatrike. Mjekët konstatuan lëndime të rënda në tru dhe gjendje kërcënuese për jetën.
Prokuroria e Shtetit njoftoi se është dhënë urdhër për autopsinë e trupit të fëmijës, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.
Kujtojmë se fëmija dyvjeçar u godit nga një plumb në kokë natën e Vitit të Ri në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, siç raportuan më herët mediat maqedonase.
“Fëmija, identiteti i të cilit nuk dihet, u pranua mbrëmë në Klinikën e Kujdesit Intensiv me plagë të rëndë me armë zjarri në kokë,” deklaroi Igor Merdžanovski, drejtor i Klinikës së Traumatologjisë, Sëmundjeve Ortopedike, Anestezisë, Reanimacionit dhe Kujdesit Intensiv, si dhe Shërbimit të Urgjencës në spitalin “Nëna Terezë”.


















