NATO rrëzon një dron mbi Letoni: Qytetarët morën mesazhe urgjente SMS, shpallet alarmi

Aeroplanët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte shkelur hapësirën ajrore të Letonisë. Incidenti shkaktoi panik të përkohshëm dhe aktivizoi protokollet emergjente për mbrojtjen e popullsisë në rajonet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Alarmi u ngrit mëngjesin e sotëm pasi u konfirmua se të paktën një dron kishte hyrë në hapësirën ajrore letoneze nga territori i Federatës Ruse, konfirmoi një zëdhënës i ushtrisë për agjencinë Reuters.

Sistemi i paralajmërimit të hershëm u aktivizua menjëherë, ndërsa banorët e rajoneve lindore Rezekne dhe Ludza morën mesazhe urgjente SMS në telefonat e tyre celularë. Niveli i rrezikut u ngrit shpejt në nivelin portokalli, që nënkupton një kërcënim të konfirmuar dhe të menjëhershëm.

Si masë paraprake, alarmi i verdhë u shpall edhe në rajonet fqinje Balvi dhe Aluksne.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga transmetuesi publik letonez LSM, incidenti dhe rrëzimi i dronit ndodhën pranë fshatit Rogovka në lindje të vendit.

Gjatë kohës së alarmit, autoritetet ushtarake lëshuan udhëzime të rrepta për qytetarët, duke u bërë thirrje që të strehohen menjëherë në ambiente të mbyllura dhe të zbatojnë të ashtuquajturin “parimin e dy mureve”.

Ky është një rregull sigurie sipas të cilit qytetarët duhet të qëndrojnë në pjesë të ndërtesës që ndahen nga jashtë me të paktën dy mure të forta, si korridoret ose banjat.

Kjo masë ul ndjeshëm rrezikun e lëndimeve në rast shpërthimi ose rënieje të mbetjeve dhe copëzave të dronit.

Kategoritë
BotaLajme