Myftiu Tërnava uron besimtarët me rastin e Fitër Bajramit

Tërnava tha se gjatë muajit Ramazan besimtarët si asnjëherë tjetër ishin bashkë në adhurime, falje e lutje, ndërsa shtëpitë, lagjet e xhamitë përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruara me ibadete me më të dashurit, miqtë dhe farefisin.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e ardhjes së Fitër Bajramit apo Bajramit të Madh, raporton Anadolu.

Tërnava nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Prishtinë tha se sonte besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit gjatë të cilit me bindje e devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam.

Ai tha se gjatë muajit Ramazan besimtarët si asnjëherë tjetër ishin bashkë në adhurime, falje e lutje, ndërsa shtëpitë, lagjet e xhamitë përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruara me ibadete me më të dashurit, miqtë dhe farefisin.

“Ramazanin po e përcjellim të lumtur që Krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër, krenarë e faqebardhë, me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë”, tha Tërnava.

Myftiu tha se Fitër Bajrami vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani, dhe si i tillë “jemi të sigurt se nga ky muaj do të dalim më të dëlirë, më humanë, më të afërt me njëri-tjetrin, më solidarë e më të fisnikëruar”.

Tërnava në fjalën e tij, duke folur për vlerën e familjes në popullin shqiptar, tha se ajo ka qenë në vazhdimësi institucioni më i vlerësuar dhe më i çmuar dhe atakimi i vlerave mbi të cilat është ngritur familja “nuk është në të mirën tonë dhe popullit tonë”.

Ai më tej tha se qytetarët duhet ta bëjnë më të mirën për vendin e tyre për ta bërë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke përmendur si shqetësim braktisjen e Kosovës nga të rinjtë të cilët shpërngulen për të jetuar në vendet perëndimore.

“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, shtoi myftiu.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi