Mjeku palestinez pret prej 17 muajsh në paraburgim izraelit, ende nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale

Hussam Abu Safiya, një mjek palestinez, ndodhet në paraburgim izraelit prej 17 muajsh pa u ngritur ende asnjë aktakuzë ndaj tij. Aktualisht, Gjykata Supreme e Izraelit po shqyrton nëse do t’ia vazhdojë masën e paraburgimit.

Abu Safiya, pediatër 53-vjeçar dhe drejtor i Spitali Kamal Adwan, u paraqit para gjykatës përmes video-lidhjes për të kundërshtuar vazhdimin e ndalimit të tij. Deri të enjten pasdite, gjykata ende nuk kishte shpallur vendimin.

Gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit, ai u bë një nga figurat më të njohura të personelit shëndetësor në Gaza. Ai drejtoi spitalin gjatë një rrethimi 85-ditor nga ushtria izraelite dhe publikoi disa video ku kërkonte ndihmë për institucionin shëndetësor.

Sipas organizatës Physicians for Human Rights – Israel, edhe 14 mjekë të tjerë nga Gaza ndodhen aktualisht në burgjet izraelite.

Në pamjet e paraqitjes së tij para gjykatës, Abu Safiya shihet me pranga në duar dhe i veshur me uniformë të bardhë burgu. Organizata PHRI pretendon se ai së fundmi është transferuar në izolim, ndërsa djali i tij, Elias Abu Safiya, pohon se kjo ndodhi menjëherë pas paraqitjes së ankesës.

Ushtria izraelite ka deklaruar se Abu Safiya po hetohet nën dyshimin për bashkëpunim ose veprimtari në favor të Hamas. Megjithatë, personeli mjekësor dhe organizatat ndërkombëtare humanitare që kanë bashkëpunuar me të i kanë hedhur poshtë këto pretendime.

Shërbimi i Burgjeve të Izraelit ka mohuar akuzat për keqtrajtim dhe ka deklaruar se të gjithë të paraburgosurit marrin kujdes profesional mjekësor.

Pas seancës gjyqësore, avokati i tij, Nasser Odeh, përcolli mesazhin e mjekut:

“Unë jam pediatër që ofroj kujdes mjekësor për pacientët, të plagosurit dhe personat më të rrezikuar në Gaza. Punën time e kam kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet humanitare. Ndalimi im është i padrejtë dhe arbitrar.”

Lufta filloi më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, numri i të vrarëve ka arritur në afro 73.000 persona.

Kategoritë
BotaLajme