Mjekja nga spitali “Shifa” në Gaza: Nëse nuk ndërhyhet, foshnjat do të vdesin

“Nuk ka energji elektrike, këto foshnja do të vdesin nëse nuk ndërhyhet”, tha Fadia Malhis, mjeke nga spitali “Shifa” dhe kërkoi ndihmë urgjente nga komuniteti ndërkombëtar

Mjekja nga spitali “Shifa”, Fadia Malhis paralajmëroi se situata në këtë spital në Rripin e bllokuar të Gazës është shumë e vështirë, raporton Anadolu.

Siç tha ajo, kushtet në spitalet në Gaza janë bërë shumë të vështira për pacientët. Malhis, specialiste e gjinekologjisë, tregoi foshnjat që qëndronin në repartin e kujdesit intensiv.

“Nuk ka energji elektrike, këto bebe do të vdesin nëse nuk ndërhyhet”, tha ajo dhe kërkoi ndihmë urgjente nga komuniteti ndërkombëtar.

Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në tre javët e fundit, u vranë 7.326 palestinezë, përfshirë 3.038 fëmijë, 1.726 gra dhe 414 të moshuar ndërsa 18.967 të tjerë u plagosën.

Gaza po përjeton krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm i shumë-dimesional që përfshinte lëshime raketash dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Ushtria izraelite më pas filloi bombardime të pamëshirshme në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme