Një biznesmen i cili ishte i lidhur me kompaninë ruse Gazprom, është gjetur i vdekur me një plagë të shkaktuar nga plumbi.
Trupi i 61-vjeçarit Yuri Voronov u gjet në pishinën e një vile luksoze në afërsi të St. Petersburgut, duke u bërë kështu biznesmeni i pestë i cili është vrarë në rrethana të dyshimta këtë vit në Rusi.
Voronov ishte CEO i kompanisë Astra Shipping, një firmë transportimi e cila punonte me Gazprom në projektet e lidhura me zonën e Arktikut.
Sipas The Times, në vendngjarje u gjetën arma e krimit si dhe gëzhojat e plumbave. Deri më tani, nuk është e qartë se kujt i përket arma.
Bashkëshortja e Voronov, deklaroi se biznesmeni ishte i dehur pasi kishte konsumuar shumë alkool, kjo për shkak se kompania e tij kishte humbur shumë para që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Vdekja e tij vjen menjëherë pas vetëvrasjeve të dy biznesmenëve të tjerë të fuqishëm. Vladislav Avayev, ish-zv.President i firmës Gazprom si dhe Sergey Protoseyna, administrator në kompaninë Novotek në Rusi, u gjetën të vetvrarë në muajin prill.
Sipas raportimeve, Avayev, 51 vjeç kishte qëlluar me armë bashkëshorten e më pas vajzën e tij 13-vjeçare përpara se ta drejtonte armën nga vetja për t’i dhënë fund jetës. Trupat e pajetë të familjes u gjetën brenda vilës së tyre në Moskë.
Manjati rus thuhet se ka punuar më parë në kabinetin e Presidentit, pavarësisht se roli i tij ekzakt nuk dihet.
Igor Volobuev, një tjetër nënkryetar i Gazprombank, tha se ai dyshonte se Avayev ishte inkuadruar. Gazprom , i cili kontrollon Gazprombank, drejtohet nga Alexei Miller, një aleat prej kohësh i Presidentit Putin . Burimet e saj të mëdha të gazit janë përdorur gjithnjë e më shumë si një armë politike në mes të luftës në Ukrainë dhe tensioneve të larta me vendet perëndimore.
Protosenya, 55 vjeç, dyshohet gjithashtu se ka vrarë gruan dhe vajzën e tij 18-vjeçare përpara se të vriste veten në shtëpinë e familjes në Spanjë. Djali i tij, i cili nuk ishte në shtëpi gjatë ngjarjes, tha se nuk i besonte raportit zyrtar të policisë. Vdekja e tyre erdhi pasi Leonid Shulman, kreu i shërbimit të transportit të Gazprom, u zbulua i vdekur në pronën e tij elitare pranë Shën Petersburgut në janar.
Shulman ishte nën hetim për mashtrim. Në shkurt, Aleksandër Tyulakov, një tjetër zyrtar i lartë i Gazprom u raportua se kishte varur veten në një fshat aty pranë.
Edhe pse Rusia ka disa nga normat më të larta të vetëvrasjeve në botë për meshkujt, vdekjet e tyre kanë ngjallur dyshime se ata mund të kenë rënë në kundërshtim me shërbimet e sigurisë.