Raporti ka analizuar 70 seanca dëgjimore të paraburgimit në mbarë Kosovën për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Bashkimit Evropian (OSBE) në Kosovë ka publikuar raportin e saj fundit të monitorimit të gjykimeve mbi masën e paraburgimit në institucionet në Kosovë, raporton Anadolu.
Raporti ka analizuar 70 seanca dëgjimore të paraburgimit në mbarë Kosovën për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe gjykimit të drejtë, ku fokusi ka qenë praktika e gjykatave në caktimin e paraburgimit.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se raporti i OSBE-së ka vënë re disa përmirësime të praktikave gjyqësore prej viteve të mëhershme 2008-2009 nga kur ka filluar OSBE të analizojë këtë fushë. Por, Davenport tha se është shqetësuese që masat e paraburgimit që nuk arsyetohen mjaftueshëm, po përdoren shumë në Kosovë.
“Statistikat tregojnë që proporcioni i personave në paraburgim si përqindje e popullatës së përgjithshme të të burgosurve në fakt është rritur në vitet e fundit. Në dhjetor 2020, 27 për qind e të burgosurve ishin në paraburgim, ndërsa në dhjetor të vitit 2022 kjo shifër është rritur në 38 për qind, gjë që është një rritje e konsiderueshme, përqindje e lartë që tregon një trend shqetësues”, theksoi Davenport.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se çështja e paraburgimit është një sfidë në vete.
Haxhiu tha se në shërbimin korrektues të Kosovës ka persona që janë të paraburgosur edhe me 10 apo 11 vite dhe ata nuk mund t’u nënshtrohen programeve rehabilituese për sa kohë janë në një situatë të tillë. “Unë konsideroj se gjithë njerëzit pa dallim, edhe ata të cilëve për një kohë u është hequr liria kanë të drejta themelore njerëzore që jo vetëm që nuk mund t’u mohohen por edhe duhet t’u sigurohen dhe garantohen të njëjtëve dhe atë me çdo kusht”, theksoi Haxhiu.
Përveç identifikimit të çështjeve që lidhen me zbatimin e masës së paraburgimit, raporti ka ofruar edhe rekomandime specifike për institucionet përkatëse. OSBE-ja i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë të hetojë mundësinë e vendosjes së sistemeve elektronike për gjurmimin e lëvizjeve të të liruarve me masa të buta.
Zyra e Kryeprokurorit, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës rekomandohen që të sigurojnë ekzistimin e mekanizmave për përshpejtimin dhe prioritizimin e rasteve në të cilat i pandehuri ndodhet në paraburgim. Gjithashtu, Odës së Avokatëve të Kosovës i rekomandohet që të ofrojë trajnime për avokatët mbrojtës se si të kundërshtojnë në mënyrë efektive kërkesat e prokurorisë për paraburgim dhe të mbrojnë të drejtat e klientëve të tyre për liri.
Në konferencë morën pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Rexhepi dhe prokurorja Sevdije Morina.