Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Mungesa e karburantit do të thotë vdekje për pacientët dhe të plagosurit

Spitalet në Rripin e Gazës po përjetojnë “mungesa serioze dhe të vazhdueshme të karburantit” për shkak se Izraeli lejon që karburanti në spitalet në Gaza të dërgohet në sasi të kufizuara

Në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadën dhe sulmet e ashpra të Izraelit, disa shërbime shëndetësore nuk mund të ofrohen për shkak të mungesës në rritje të karburantit dhe se “mungesa e vazhdueshme e karburantit do të thotë vdekje për pacientët dhe të plagosurit”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se shërbimet e dializës janë pezulluar për shkak të mungesës së karburantit që vë në punë gjeneratorët në spitalin Al-Shifa dhe se shërbimet e kujdesit intensiv do të kufizohen në “disa orë”.

“Vazhdimi i mungesës së karburantit do të thotë vdekje e pashmangshme e të gjithë pacientëve dhe të plagosurve në spitale”, thuhet më tej. Spitalet në Rripin e Gazës po përjetojnë “mungesa serioze dhe të vazhdueshme të karburantit” për shkak se Izraeli lejon që karburanti në spitalet në Gaza të dërgohet në sasi të kufizuara.

Duke iu drejtuar organizatave ndërkombëtare dhe palëve përkatëse, deklarata bën thirrje për ndërhyrje urgjente për të parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor në Gaza duke siguruar furnizime mjekësore. Në spitalet e pakta të mbetura në Rripin e Gazës, pajisjet mjekësore në departamentet ku trajtohen të sëmurët dhe të plagosurit funksionojnë me energji elektrike të ofruar nga gjeneratorët.

Në Gaza, ku Izraeli ka kufizuar hyrjen e ndihmës humanitare, ilaçeve dhe karburantit, pamundësia për të furnizuar spitalet me karburant përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve dhe të plagosurve që po trajtohen me pajisje mjekësore.

Ushtria izraelite vazhdon të shënjestrojë shkollat, spitalet dhe tendat që strehojnë të zhvendosurit, duke shkaktuar katastrofë humanitare në Rripin e Gazës.

– Sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 56.531 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 133.642.

Që nga 18 marsi kur ushtria izraelite shkeli armëpushimin 6.203 palestinezë janë vrarë dhe 21.601 të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera ndaj Gazës.

Është rritur në 583 numri i personave të vrarë dhe në 4.186 numri i të plagosurve si pasojë e sulmeve sistematike që synojnë palestinezët në zonat e shpërndarjes të krijuara që nga 27 maji nën maskën e ndihmës humanitare nga “Fondacioni Humanitar i Ndihmës për Gazën” i udhëhequr nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Ushtria izraelite filloi zbatimin e një plani sulmi që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ata do të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme