Ministria e Mbrojtjes s’jep detaje për blerjen e dronëve – një thuhet se kushton rreth 5 milionë euro

Ministria e Mbrojtjes s’jep detaje për blerjen e dronëve – një thuhet se kushton rreth 5 milionë euro

Dronët e famshëm të Turqisë “Bayraktar”, ka shprehur interesim t’i blejë edhe Kosova. Çmimi i saktë i një droni të tillë s’dihet, por vlerësohet se kushton afër 5 milionë euro. Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha dje se po zhvillohen punime për këtë çështje, derisa shtoi se ky është proces afatgjatë. Ai përmendi edhe vizitat e Presidentes dhe Ministrit të Mbrojtes në fabrikën ku prodhohen këta dronë. Për numrin e dronëve që do t’i blejë shteti dhe paratë që do të shpenzohen për këtë qëllim,  

 

Vizitat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fabrikën ku prodhohen dronët “Bayraktar”,  po del se s’kanë qenë vetëm për të shuar kureshtjen.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka deklaruar dje se Kosova e ka në agjendë dhe se wshtw duke punuar blerjen e dronëve të prodhimit turk, Bayraktar. Çmimi i saktë i këtyre dronëve s’dihet, por vlerësohet se një kushton rreth 5 milionë euro.

Damka tha se ky është një proces afatgjatë, derisa shtoi se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë [Vjosa Osmani] dhe ministri i Mbrojtjes [Armend Mehaj] i kanë vizituar dronët Bayraktar në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka për AA, pa dhënë detaje të tjera.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes për të marrë më shumë informacione rreth planeve të Kosovës për këta dronë.

Saktësisht, gazeta ka pyetur për numrin e dronëve që janë planifikuar të blihen, paratë që do të shkojnë për këtë qëllim dhe vitin kur do të blihen, por nga ky institucion s’kanë thënë diçka konkrete.

Nga Zyra për Media e kësaj ministrie vetëm kanë deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke ngritur kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale dhe se për këtë qëllim, sivjet është investuar 84 përqind më shumë sesa vjet për blerjen e pajisjeve ushtarake.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është duke ngritur kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale në përputhje me Planin e Përgjithshëm të Tranzicionit dhe misionit të saj kushtetues për mbrojtjen e sovranitetit të territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe për këtë qëllim gjatë vitit 2022 është investuar 84% më shumë se në vitin 2021 në blerjen e pajisjeve ushtarake, duke tejkaluar për 99% investimet e bëra në këtë drejtim në vitin 2020 dhe 2019, ashtu siç edhe është raportuar para medieve në Komisionin për Çështje të Sigurisë, brenda kornizave që lejon natyra e punës së Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

Presidentja Osmani kishte zhvilluar vizitë në kompaninë “Baykar”, gjatë një vizite që kishte realizuar në Turqi, në shkurt të këtij viti. Në njoftimin për këtë vizitë, s’kishte përmendur interesimin e vendit që t’i ketë këta lloj të dronëve pjesë të arsenalit ushtarak.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte shkruar Osmani.

Dy muaj pas Osmanit, fabrikën në fjalë e kishte vizituar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai kishte kumtuar se ishte njoftuar për së afërmi me dronët nga Shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar,

“Takimin e radhës e kam zhvilluar në kompaninë Baykar. Gjatë kësaj vizite shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Z. Haluk Bayraktar më njoftoj për së afërmi me dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në këtë kompani. Falënderoj z. Bayraktar për respektin e tij ndaj Kosovës dhe gatishmërinë e lartë që Kosovës t’i ofroj zgjedhjet më të mira”, kishte shkruar Mehaj.

Shqipëria dje nënshkroi marrëveshje për blerjen e dronëve

Shqipëria dje ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e një flote të avionëve ushtarakë pa pilot nga kompania turke “Bayraktar”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe kompanisë turke “Bayraktar”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo marrëveshje është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë dhe për këtë falënderoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Rama bëri të qartë se dronët do të përdoren edhe për misione ushtarake, por edhe policore dhe civile.

“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, tha Rama.

Rama bëri të ditur se marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët, por përfshin edhe mirëmbajtjen e tyre, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit, që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.

Në shtator të këtij viti Rama pati deklaruar se Shqipëria do të marrë gjashtë dronë të armatosur Bayraktar nga Turqia.

Çfarë është droni “Bayraktar”?

Ky lloj droni për herë të parë ka fluturuar më 2014 dhe është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes Baykar, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron..

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova