Ministri saudit bëri për të qeshur edhe Putinin, marrëdhëniet me Rusinë i krahasoi me martesën: “Derisa vdekja të na ndajë”

Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman Al Saud, vlerësoi marrëdhëniet e forta mes vendit të tij dhe Rusisë, duke deklaruar se të dyja shtetet po arrijnë të kapërcejnë me sukses të gjitha sfidat dhe krizat, duke aluduar qartë në tensionet dhe konfliktet globale në rritje.

Ai i bëri këto komente gjatë Forumit të 9-të Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, ku ishte i pranishëm edhe presidenti rus Vladimir Putin.

“Nga pandemia e koronavirusit deri te të gjitha këto stuhi, madje edhe sot kur po kalojmë nëpër kriza të shumta dhe faza të ndryshme, ne po arrijmë t’i kapërcejmë të gjitha këto sfida falë përkushtimit të ndërsjellë si partnerë. Edhe pse unë jam mysliman dhe Rusia nuk është katolike, ne i qëndrojmë betimit: derisa vdekja të na ndajë”, tha Princi Abdulaziz bin Salman Al Saud.

Deklarata e tij shkaktoi të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit, përfshirë edhe presidentin rus Vladimir Putin.

Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, i cili zgjat tri ditë, po marrin pjesë rreth 20 mijë mysafirë nga 130 vende të botës.

Kjo ngjarje, e quajtur shpesh “Davos-i rus”, dikur konsiderohej platforma më e rëndësishme e Rusisë për tërheqjen e investitorëve dhe kompanive perëndimore.

Arabia Saudite këtë vit ka statusin e vendit mysafir të forumit (SPIEF), gjë që përkon me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Riadit dhe Moskës.

Si dëshmi e forcimit të lidhjeve dypalëshe, mbretëria saudite ka dërguar në Shën Petersburg një delegacion prej më shumë se 200 zyrtarësh dhe drejtuesish biznesi, të kryesuar nga ministri i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman Al Saud.

Kategoritë
BotaLajme