Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi se Izraeli nuk do të heqë dorë nga vendosja e kolonëve në Rripin e Gazës dhe se të gjitha aktivitetet në këtë drejtim do të vazhdojnë.
Gjatë një tubimi kontrovers të quajtur “Marshi i Flamurit”, politikanë të djathtë izraelitë dhe përkrahës të tyre u mblodhën në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, ku u dëgjuan thirrje si “Vdekje për arabët” dhe “Le të digjen fshatrat tuaja”.
Me këtë rast, ministri i financave dha një deklaratë ku tha se Izraeli nuk frikësohet më nga fjala “pushtim”.
“A kemi frikë nga fitorja? A kemi frikë nga fjala pushtim? Jo. Ne po pushtojmë dhe po vendosemi në tokën e Izraelit, po e çlirojmë Gazën, po vendosemi në Gazë dhe po e mposhtim armikun,” tha Smotrich para të pranishmëve.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të rindërtohet Tempulli në hapësirën ku ndodhet xhamia Al-Aqsa në Jerusalem.
“Me ndihmën e Zotit, do t’i zgjerojmë kufijtë e Izraelit, do të realizojmë ‘shpëtimin’ e plotë dhe do ta rindërtojmë Tempullin këtu,” u shpreh Smotrich para turmës në Jerusalem.