Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës: “Këto kopila ustashë po lobojnë me këmbëngulje që të copëtohet BiH”

Ministri i Mbrojtjes së BiH, Zukan Helez, foli për Hayat TV rreth “Sarajevo safarit”, tregimit për “turistët-snajperistë”, shtetasit e huaj të cilët, thuhet, paguanin për të shtënë mbi civilët në Sarajevën e rrethuar. Gazetari e pyeti nëse Kroacia është objekt hetimi si vend tranzit nëpër të cilin potencialisht mund të kenë ardhur perëndimorët në “Sarajevo safari”.

Helez u përgjigj:

“Nuk kishin pse të kalonin nëpër Kroaci. Mund të vinin në Sarajevë përmes Bosnjës Lindore, e cila ishte nën kontrollin e forcave agresore, dhe mund të vinin nga Serbia pa asnjë problem. Nuk kishin pse të shkonin në Kroaci.”

Helez pastaj kritikoi ashpër eurodeputeten kroate Željana Zovko:

“Ne kohët e fundit jemi dëshmitarë të asaj që po bën kjo ‘pola-retardirana’ Željana Zovko, e cila ndërhyn vazhdimisht në çështjet e brendshme të BiH, dhe këto janë ato ‘kopila ustashë’. Si ajo, ashtu edhe ai Primoraci, i cili në Washington lobon me këmbëngulje që të ndahet BiH.”

Më tej ai tha:

“Dua t’u them, ndoshta kanë pasur ndonjë shans në luftë, kur mendonin se ishin superiorë, por edhe atëherë mbrojtësit tanë të shkëlqyeshëm e mbrojtën BiH. Tani nuk kanë asnjë shans. Sot, me siguri, dy të tretat e qytetarëve të BiH do të dilnin në mbrojtje të shtetit. U them se këtu mbaron fati i BiH dhe askush tjetër nuk do ta zgjidhë përveç qytetarëve të saj.”

Primorac: “Kroatët diskriminohen në BiH”

Željana Zovko është eurodeputete kroate, ndërsa Max Primorac është zyrtar i lartë i Fondacionit Heritage në SHBA.

Primorac këtë javë mori pjesë në një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Komitetit për Evropë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA. Gjatë fjalimit ai tha se kroatët në BiH po vuajnë diskriminim të rëndë nga komuniteti më i madh mysliman (boshnjak) dhe se atyre u mohohet e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë, gjë që ka rezultuar në një rënie të popullsisë prej 62 për qind.

Akuza ndaj Vuçiqit

Helez komentoi edhe pretendimet se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë në “Sarajevo safari”.

“Aleksandar Vuçiq ka një problem që e sjell nga shtëpia. Kjo urrejtje trashegohet, lidhet me edukimin e tij dhe me edukimin e secilit prej nesh, se si sillemi ndaj tjetrit dhe të ndryshmit. Ai nuk i pëlqen të tjerët dhe të ndryshmit; ka një kompleks të veçantë ndaj boshnjakëve, dhe këtë e ka shprehur në luftë, por edhe ndaj kroatëve. Nëpër tërë Kroacinë jepte deklarata të ashpra nacionaliste, pro-fashiste për BiH dhe Kroacinë.”

Helez e akuzoi Vuçiqin për vrasjen e civilëve:

“Këtu sillej rreth Sarajevës, qëllonte… Tani kemi marrë informacione, madje edhe nga gazetarë të tjerë, se i sillte njerëzit këtu për të vrarë fëmijë të pafajshëm, për të vrarë qytetarë të Sarajevës, të cilët në fakt ishin në një kamp të hapur. Kur dilnin të mblidhnin dru që të ushqenin familjet e tyre, ai, si një shushunjë e fëlliqur, nga mali, me kriminelët e tij, qëllonte dhe vriste në Sarajevë.”

Helez tha se Vuçiq po paguan çmimin:

“Ai ka 30 vjet që punon kundër BiH pa pushim. Natyrisht, tani ka më shumë pushtet sepse është president i Serbisë, ka qenë edhe kryeministër, dhe të gjitha këto janë pozita nga të cilat mund t’i bëjë shumë dëm BiH.”

“Tani të gjithë e kanë kuptuar se kush është Vuçiq”

Helez shtoi:

“Ai e ka përdorur këtë maksimalisht kundër BiH dhe këto bllokada sot janë vepër e tij… Përdor këtë primitivin Dodik, i cili ka pushtet kushtetues për t’i bllokuar të gjitha. Të gjitha këto gënjeshtra kanë dalë në shesh. Gënjeu amerikanët dhe rusët, tani të dy palët e kanë kuptuar. Shesin armë Ukrainës për të fituar. Gënjeu amerikanët se ishte pro-evropian. Tani të gjithë e kanë parë kush është dhe çfarë bën.”

Helez vazhdoi:

“Brenda Serbisë ka probleme të mëdha. Akademia është zgjuar, studentët, profesorët… dhe tani po i shihet fundi karrierës politike. Shpresoj që drejtësia ta ndëshkojë për gjithçka ka bërë në Sarajevë.”

Por ai është skeptik për drejtësinë në BiH:

“Nuk pres shumë nga drejtësia jonë, sepse kohëve të fundit duket qartë se politika ka ndërhyrë sërish në Prokurorinë e BiH. Vetë fakti që kryeprokurori dhe zëvendësi i tij paraqesin padi kundër njëri-tjetrit tregon se atmosfera nuk është e shëndoshë dhe se politika ka futur duart, sidomos disa politikanë të dështuar nga RS, entiteti i vogël.”

Kategoritë
LajmeRajoni