Ministri i Jashtëm Hakan Fidan: Më tentuan të më vrasin 4-5 vite më parë, më dhanë arsenik dhe zhivë
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se para 4–5 vitesh ndaj tij ishte ndërmarrë një tentativë për atentat. “M’u dha arsenik i rëndë dhe zhivë. Ka ndodhur diku dhe më pas u zbulua nga analizat,” tha ai.
Fidan foli në një intervistë direkte për kanalin 24 TV, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Murat Çiçek për zhvillimet aktuale.
Ai kujtoi se që prej emërimit të tij në vitin 2010 si Shef i Shërbimit Informativ Kombëtar (MİT), është përballur me propagandë nga grupe terroriste dhe organizata kriminale kundër tij dhe familjes së tij. Sipas tij, në ditët moderne, kërcënimi kryesor nuk është më vetëm fizik, por edhe përmes “atentateve të karakterit”.
Fidan theksoi se që nga viti 2010 ka qenë objekt i fushatave të njollosjes në publik dhe përpjekjeve për ta diskredituar.
Duke kujtuar shpifjet e bëra ndaj tij, Fidan shtoi:
“Jemi mësuar me këto. Ajo që nuk jemi mësuar, është fakti që partitë kryesore të opozitës, organizatat terroriste dhe grupet kriminale marrin informacione të fabrikuara nga mafia dhe i përdorin në politikë. Kjo tregon nivelin më të ulët të mundshëm, dhe kjo është e rrezikshme.”
“U helmova dhe u trajtova”
Fidan pohoi gjithashtu se ka qenë objekt i një tentative fizike për atentat:
“Na helmuan dhe na trajtuan. Përveç kësaj, jemi vazhdimisht nën sulme të karakterit. Kjo është pjesë e kësaj lufte,” tha ai.
“M’u dhanë arsenik dhe zhivë e rëndë”
Ai tha se nuk e kishte bërë më parë publike helmimin, duke sqaruar:
“M’u dha arsenik i rëndë dhe zhivë. Ka ndodhur diku dhe më vonë është zbuluar nga analizat. Ka rreth 4-5 vjet që ka ndodhur.”
I pyetur se kush qëndronte pas këtij atentati, Fidan u përgjigj:
“Të mos hyjmë në ato detaje. Këto janë çështje që ndodhin jashtë vendit. Nuk ka armiq vetëm brenda, ka kudo.”
Fidan theksoi se këto tentativa nuk e kanë penguar të vazhdojë misionin e tij:
“Ne jemi këtu për t’i shërbyer këtij atdheu. Do të përpiqen të të shkatërrojnë karakterin, do të tentojnë edhe atentate fizike ndaj teje,” përfundoi ai.