Ministri Bekteshi qëndron për vizitë në Ankara, takon homologen e tij turke

Në takim u vendos për fillimin e negociatave për të azhurnuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis dy vendeve, e cila është në fuqi që nga viti 2001 dhe që jep një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, i cili po qëndron për vizitë në Turqi, është pritur në takim në Ankara nga ministrja e Tregtisë e Turqisë, Ruhsar Pekcan, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi midis delegacioneve të të dy vendeve u zhvillua në hapësirat e Ministrisë së Tregtisë në Ankara, ndërsa u përqendrua në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në zhvillimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve.

Në takim u vendos për fillimin e negociatave për të azhurnuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis dy vendeve, e cila është në fuqi që nga viti 2001 dhe që jep një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare. Në takim po ashtu u vendos për zgjerimin e marrëveshjes së njëjtë duke përfshirë sektorin e hotelierisë.

Palët në këtë takim po ashtu u fokusuan edhe në mundësitë për bashkëpunim midis dy vendeve, si dhe u apelua për rritjen e investimeve.

Në kuadër të kësaj u arrit marrëveshje në lidhje me mbajtjen e një mbledhjeje të Komisionit të Përbashkët Ekonomik në kohë sa më të shpejt të mundur gjatë këtij viti, si dhe mbajtjen e forumit të investimeve në gjysmën e parë të këtij viti.

Në takim po ashtu u diskutua mbi atë se kompanitë turke duhet të marrin pjesë më shumë në projektet e energjisë në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
BotaLajme