Dodik tha se do të insistojë në emërimin e një ministri të jashtëm për të përfaqësuar Republikën Srpska (RS), një nga dy entitetet në vend, në Këshillin e Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Milorad Dodik, i cili po përgatitet të dorëzojë detyrën e tij si anëtar serb i Këshillit Presidencial pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se do të insistojë në emërimin e një ministri të jashtëm për të përfaqësuar Republikën Srpska (RS), një nga dy entitetet në vend, në Këshillin e Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Dodik, i cili është kryetar i Unionit të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) dhe kandidat për Presidencën e RS-së në zgjedhje, ka tërhequr sërish vëmendjen me retorikën e tij separatiste, edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë nga zgjedhjet.
Duke deklaruar se ministri i Jashtëm i nivelit shtetëror punon për interesat e Bosnje dhe Hercegovinës, Dodik tha: “Kjo për ne është abuzim me institucionet. Unë do të insistoj të ketë ministër të Jashtëm të RS në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Dodik tha se ka mundësi që boshnjakët të bashkëpunojnë me partitë opozitare në RS në përpjekjet e tyre për të formuar qeveri. “Kjo nuk është aspak mirë. Kjo e vë në telashe Bosnjë dhe Hercegovinën. Nuk dua asgjë në dëm të boshnjakëve”, theksoi Dodik.
91 për qind e votave të numëruara
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (CIK) njoftoi se për zgjedhjet e së dielës janë numëruar 91 për qind e votave.
Theksohet se Dodik, i cili konkurroi me kandidaten e Partisë Demokratike Progresive (PDP), Jelena Triviq për presidencën e RS, ishte përpara me 48 për qind të votave. Thuhet se Triviq mori 43 për qind të votave.
Sipas rezultateve jozyrtare, anëtari boshnjak, Denis Beqiroviq, anëtari kroat, Zheljko Komshiq dhe anëtarja serbe, Zheljka Cvijanoviq janë shpallur fitues të anëtarësimit për Këshillin Presidencial, që është pozita më e lartë e shtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas të dhënave të përditësuara, kandidati i Partisë Socialdemokrate (SDP), Beqiroviq i cili mori mbështetjen e bllokut opozitar të përbërë nga 11 parti politike, fitoi 57 për qind të votave, kandidati i Frontit Demokratik (DF) dhe koalicionit të Bashkimit Popullor (GS), Komshiq mori 54 për qind të votave, dhe kandidatja e SNSD, Cvijanoviq, mori 52 për qind të votave.
Njoftohet se janë numëruar 79 për qind të votave për Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Partia e Veprimit Demokratik (SDA), e cila është partia më e madhe e boshnjakëve, është përpara me 24 për qind.
Ndërkaq, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 50 për qind.