Miliona pelegrinë në Mekë të mërkurën, në ditën e parë të Kurban Bajramit, filluan ritualin e gurëzimit të shejtanit, ndërsa ky ritual vazhdon edhe në ditën e dytë dhe të tretë të Bajramit.
Ky ritual është kujtim i rrëfimit të pejgamberit Ibrahim, i cili e dëbonte shejtanin me gurë në tri vende ku shejtani ishte përpjekur ta largonte nga zbatimi i urdhrit të Zotit për të sakrifikuar djalin e tij Ismailin.
Pelegrinët të veshur me ihrame të bardha po përballen me vapë të padurueshme të shkretëtirës gjatë kryerjes së ritualeve shumëditore, kryesisht në ambiente të hapura, ndërsa temperaturat të mërkurën në Mekë dhe Mina arritën deri në 44 gradë Celsius.
Autoritetet saudite kanë shtuar masat mbrojtëse ndaj vapës, duke përfshirë ventilatorë gjigantë, spërkatës mjegulle, dysheme të ftohura dhe kamionë që shpërndajnë ujë të pijshëm.
Më shumë se 1.7 milion njerëz po marrin pjesë këtë vit në haxh, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2025.