Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka mbërritur për një vizitë zyrtare te presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Në konferencën për media, Milanoviq komentoi pretendimet lidhur me negociatat e ministrit kroat të mbrojtjes, Ivan Anušić, me Izraelin për blerjen e të ashtuquajturit sistemi “Shpata e Davidit”.
“Të blesh çfarëdo sistemi mbrojtës pa Ushtrinë e Kroacisë, është një blerje pa plan. Nëse ai apo kushdo tjetër dëshiron të hyjë në marrëveshje të tilla, kërkohet bashkëpunim mes Kroacisë dhe ushtrisë izraelite. Për Zotin, kjo nuk do të ndodhë”, tha Milanoviq.
Presidenti shtoi se sistemi “Shpata e Davidit”, edhe nëse do të ishte i fundit në botë, është i zëvendësueshëm. “Ne po blejmë tanke dhe ‘Shpatën e Davidit’, ndërkohë që Izraeli po armatos fqinjën tonë të parë, e kam fjalën për Serbinë”, deklaroi Milanoviq.
Ai theksoi se të gjitha blerjet mbrojtëse ku përfshihet një palë e huaj duhet të koordinohen me Ushtrinë e Kroacisë, duke nënvizuar rolin strategjik të saj në ruajtjen e sigurisë kombëtare.
Milanoviq gjithashtu theksoi se Serbia përbën një problem sigurie, duke rikujtuar blerjen e sistemeve ushtarake nga Beogradi nga Izraeli dhe Kina.










