Milanoviç e Plenkoviç u përplasën për Rusinë, kryeministri e quajti presidentin “turp i hapësirës publike kroate”

Kryeministri kroat Andrej Plenković e quajti presidentin Zoran Milanoviç “turp i hapësirës publike kroate dhe i skenës politike” për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi Rusi­në.

Plenković tha sot se nuk di sipas cilës logjike duhet të ketë ndonjë kuptim ndaj presidentit rus Vladimir Putin, i cili është në luftë me Ukrainën prej më shumë se tre vjetësh, dhe e akuzoi presidentin Milanoviç se mbron më shumë qëndrimin e Kremlinit sesa interesat e Kroacisë, pasi presidenti kroat kishte deklaruar se nuk ka asnjë justifikim për mungesën e dialogut të liderëve perëndimorë me Rusinë.

“Nuk ka asnjë pikë kuptimi, asnjë justifikim ose asgjë që dikush që përfaqëson Kroacinë, kroatët dhe politikën kroate mund të thotë për Putinin dhe Rusinë. Nuk e di sipas cilës filozofie, formule, logjike, cilit ligj apo cilave parime ndodh diçka e tillë. Ne kemi dikë që në praktikë prej tre vjetësh mbron më shumë qëndrimin e Kremlinit sesa atë të Kroacisë, të Perëndimit dhe të të tjerëve, dhe këtu është lënë si diçka normale. Po t’ia pyesnim publikun në sondazhe, mendoj se do të ishte gjysmë – gjysmë për Rusinë. Kjo është turp i hapësirës publike kroate dhe i skenës publike politike kroate,” deklaroi Plenković sot për gazetarët.

Presidenti kroat Zoran Milanoviç dje tha se nuk ekziston asnjë justifikim për mungesën e dialogut të liderëve perëndimorë me Rusinë.

“Nuk ka asnjë justifikim që të mos ketë bisedë. Për çfarë shërben diplomacia nëse jo për t’u ulur dhe për të biseduar? Përditshmëritë? Pagat?” – u shpreh Milanoviç në një deklaratë të përbashkët për mediat me homologun sllovak Petër Pellegrini në Pantovçak.

Milanoviç pohoi se në luftën në Ukrainë ai qëndron në anën e më të dobëtit, “por të ukrainasve si popull, jo të pushtetit.” Shtoi se këtë konflikt e zhvillojnë ushtritë dhe se forcat ruse janë të pamjaftueshme për ambiciet e Moskës, për të cilat “i duhen trefish më shumë ushtarë”.

“Një diktator i vërtetë do t’i mobilizonte ata njerëz. Megjithatë, Putin është diçka në mes. Nuk mund ta përballojë veten me tre milionë ushtarë, sa i duhen për ta përfunduar këtë luftë. Punon me atë që ka, më shumë ose më pak një ushtri profesionale. Ushtria ukrainase është një ushtri popullore, e bazuar në mobilizim masiv dhe të detyruar. Kështu funksionon lufta,” theksoi presidenti kroat, sipas agjencisë Hina.

Kategoritë
LajmeRajoni