Kompania ndalon shërbimet “cloud” dhe “AI” pas raportit mbi mbikëqyrjen masive të palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor
Microsoft tha të enjten se ka ndërprerë shërbimet për një njësi ushtarake izraelite që drejtonte një sistem mbikëqyrjeje që monitoronte miliona thirrje të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
“Dua t’ju njoftoj se Microsoft ka ndërprerë dhe çaktivizuar një sërë shërbimesh për një njësi brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit”, tha në një deklaratë Brad Smith, nënkryetar dhe president i kompanisë.
Smith vuri në dukje njoftimin e nisjes së një rishikimi pas një raporti të 6 gushtit nga “The Guardian” që pretendonte se “IDF-i (ushtria izraelite) po përdor ‘Azure’ për ruajtjen e skedarëve të të dhënave të thirrjeve telefonike të marra përmes mbikëqyrjes së gjerë ose masive të civilëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor”. Azure është platforma e Microsoftit për shërbime “cloud”.
Ai tha se kompania ka shqyrtuar pretendimet e “The Guardian” bazuar në dy parime kryesore, duke theksuar pikëpamjen e saj për privatësinë si një e drejtë themelore dhe çelës për të siguruar besimin e klientëve në shërbimet e saj.
“Së pari, ne nuk ofrojmë teknologji për të lehtësuar mbikëqyrjen masive të civilëve. Ne e kemi zbatuar këtë parim në çdo vend të botës dhe kemi këmbëngulur në të vazhdimisht për më shumë se dy dekada”, thuhet në deklaratë.
Kompania theksoi angazhimin e saj ndaj privatësisë së klientëve, duke deklaruar se “në asnjë moment Microsoft nuk ka hyrë në përmbajtjen e klientëve të IMOD-it (Ministrisë izraelite të Mbrojtjes)”. Ajo tha se e ka kryer rishikimin e saj sipas parimeve, politikave dhe kontratave të saj, duke u përqendruar vetëm në të dhënat e brendshme, përfshirë dokumentet financiare dhe të komunikimit.
Shqyrtimi ka zbuluar prova që mbështesin pjesë të raportit të “The Guardian”, përfshirë përdorimin nga Ministria izraelite e Mbrojtjes të bazës së ruajtjes së të dhënave “Azure” në Holandë dhe shërbimet e AI-së.
“Prandaj, ne e kemi informuar IMOD-in për vendimin e Microsoft-it për të ndërprerë dhe çaktivizuar abonimet specifike të IMOD-it dhe shërbimet e tyre, përfshirë përdorimin e tyre të ruajtjes specifike të të dhënave në ‘cloud’ dhe shërbimeve dhe teknologjive të AI-së”, thuhet në deklaratë.
Smith ka vënë në dukje se Microsofti e ka shqyrtuar vendimin me Ministrinë izraelite të Mbrojtjes dhe po ndërmerr hapa për të siguruar që shërbimet e tij nuk përdoren për mbikëqyrje masive civile.
“Kjo nuk ndikon në punën e rëndësishme që Microsoft vazhdon të bëjë për të mbrojtur sigurinë kibernetike të Izraelit dhe vendeve të tjera në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe sipas Marrëveshjeve Abrahamike”, tha ai. Marrëveshjet Abrahamike janë një seri marrëveshjesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe një numri vendesh arabe dhe me shumicë muslimane.
Smith e ka vlerësuar raportin e gazetës “The Guardian”, duke thënë se shqyrtimi është duke vazhduar dhe Microsoft do të ndajë më shumë detaje në ditët dhe javët në vijim.