Anëtari i Knessetit izraelit dhe përfaqësues i partisë radikale të djathtë Cioniste, Zvi Sukkot, deklaroi kohët e fundit drejtpërdrejt në televizion se gjatë natës u vranë më shumë se njëqind banorë të Gazës dhe se “askush nuk e çan kokën”, duke aluduar për mosndëshkimin me të cilin Izraeli e vazhdon luftën e tij kundër Gazës.
“Mbrëmë vramë pothuajse njëqind banorë të Gazës… Askush nuk e vret më mendjen… Të gjithë janë mësuar me idenë që mund të vrasësh 100 njerëz në Gaza brenda një nate… dhe askujt në botë nuk i intereson,” – tha Sukkot në një intervistë për Channel 12 izraelit.
Kjo deklaratë u dha në një moment kur ish-presidenti amerikan Donald Trump përfundoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli intensifikoi operacionet ushtarake në Gaza, duke vrarë të paktën 378 palestinezë brenda vetëm pesë ditëve.
Të paktën dhjetë persona u vranë pasi Izraeli njoftoi një “operacion të ri” të shtunën. Sipas raporteve të mediave lokale, njerëzit u vranë teksa ishin mbledhur për të marrë ndihmat e rralla humanitare në këtë territor të bllokuar nga Izraeli prej muajsh.
Pamje tronditëse në rrjetet sociale treguan trupa të mbuluar me gjak pranë thasëve me miell.
Intensifikimi i operacioneve izraelite po ndodh në një kohë kur situata humanitare në Gazën e rrethuar po përkeqësohet edhe më tej. Një nga spitalet e fundit funksionale paralajmëroi se nuk mund të trajtojë më të plagosurit rëndë, për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore dhe dëmeve të shkaktuara nga bombardimet në afërsi të ndërtesës.
Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar për të përfunduar bllokadën disa mujore të ndihmës humanitare për këtë territor, çka e ka shtyrë të gjithë popullatën e Gazës drejt urisë masive.
Lufta e Izraelit kundër Gazës deri më tani ka marrë jetën e mbi 52.000 palestinezëve, shumica gra dhe fëmijë. Izraeli ka shënjestruar gjithashtu punëtorë humanitarë, personel mjekësor dhe gazetarë. Mbi 200 gazetarë janë vrarë në Gaza që nga tetori 2023.