



Komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës deklaroi se anijet ishin të përfshira në vjedhjen e grurit ukrainas, si dhe në transportimin e pajisjeve ushtarake dhe karburantit.
Sulmet u kryen në një moment kur presidenti rus Vladimir Putin po përgatitej të mbante një fjalim në Forumin e Madh Ekonomik në Shën Petersburg, vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte propozuar bisedime të drejtpërdrejta me liderin rus për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Ukraina konfirmoi se një nga dronët e saj detarë shpërtheu pranë brigjeve të Rumanisë të premten. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar.
Në ofertën e tij më të fundit për paqe, Zelensky shkroi se qytetarët rusë janë lodhur nga sulmet me dronë dhe raketa, mungesat e karburantit dhe rritja e çmimeve që ka sjellë lufta, tashmë në vitin e saj të katërt.
Ukraina ka goditur vazhdimisht infrastrukturën ushtarake dhe energjetike brenda Rusisë me qëllim kufizimin e aftësive të saj për të vazhduar luftën.
Ardhja e Putinit në Shën Petersburg ndodhi vetëm një ditë pasi Kievi kreu një sulm me dronë në periferi të qytetit.
Për këtë arsye, sulmi i fundit i Ukrainës shihet nga analistët si një mesazh simbolik dhe strategjik, i dërguar pikërisht para paraqitjes së Putinit në një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike të Rusisë.