Një mesazh i ri nga administrata amerikane në drejtim të Lindjes së Mesme vjen nga Tom Barrack, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi dhe i dërguari i posaçëm për Sirinë.
Në deklaratën e tij të parë zyrtare, Barrack dha një mesazh të fuqishëm për ndryshimin e qasjes amerikane ndaj rajonit, duke e quajtur politikën perëndimore të deritanishme një “gabim historik” dhe duke bërë thirrje për një epokë të re, të bazuar në zgjidhje dhe partneritete rajonale.
“Para një shekulli, Perëndimi vizatonte harta, impononte mandate dhe kufij për interesa imperialiste – jo për paqe. Sykes-Picot e ndau Sirinë dhe kjo e ka kushtuar disa gjenerata. Këtë gabim nuk do ta përsërisim”, deklaroi Barrack.
Ai theksoi se epoka e ndërhyrjeve perëndimore ka përfunduar, dhe se e ardhmja e Lindjes së Mesme qëndron në respektin, bashkëpunimin diplomatik dhe fuqizimin e nismave rajonale.
“Ashtu siç ka thënë presidenti Trump në Riad: ‘Kanë kaluar ditët kur ndërhyrësit perëndimorë vinin në Lindjen e Mesme për të mbajtur ligjërata’”, shtoi Barrack.
Ai u ndal veçanërisht te tragjedia siriane, duke theksuar se katastrofa e saj nisi nga ndarjet dhe se rilindja e vendit duhet të vijë përmes dinjitetit, unitetit dhe investimeve për popullin.
“Paçja është e mundur me largimin e Assadit. Heqja e sanksioneve hap rrugën drejt prosperitetit dhe sigurisë”, theksoi ai.
Barrack shtoi se SHBA qëndrojnë përkrah Turqisë, vendeve të Gjirit dhe Evropës – jo me trupa apo imponime politike, por me popullin e Sirisë. Ai bëri thirrje për të vërtetën dhe përgjegjësinë si themel për ndërtimin e një Sirie të re, përmes bashkëpunimit me rajonin dhe jo duke e anashkaluar atë.
Mesazhi i Barrack vjen në një kohë kur vetë politika e jashtme amerikane po rishikon angazhimet e saj globale, veçanërisht në zonat e konflikteve si Lindja e Mesme.
Kjo deklaratë sinjalizon një kthesë të mundshme nga politika e ndërhyrjes, sanksioneve dhe përfshirjes ushtarake, drejt një politike të mbështetjes diplomatike dhe fuqizimit lokal.