Media izraelite: SHBA pezullon bashkëpunimin me Izraelin për sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit

“Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane të ngrijë të gjithë bashkëpunimin ushtarak me Izraelin në lidhje me sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit”, pretendon televizioni izraelit “Channel 12”

Media izraelite pretendon se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka urdhëruar ndërprerjen e koordinimit ushtarak për çështjen mes Izraelit dhe Iranit, me shqetësimin se një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit do të ndikojë negativisht në bisedimet që vazhdojnë me qeverinë e Teheranit.

Sipas lajmit të televizionit izraelit “Channel 12”, Trump gjatë një bisede të zhvilluar kohët e fundit “e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me gjuhë të qartë që të mos kryejë sulm të njëanshëm ndaj objekteve bërthamore të Iranit”.

Thuhet se Trump i ka thënë Netanyahut se koha e një sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit është “e papërshtatshme” dhe se një sulm i tillë mund të “dëmtojë shanset e Izraelit për të arritur marrëveshje të fortë bërthamore (me Iranin) që i shërben edhe interesave të tij të sigurisë”.

Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane të ngrijë të gjithë bashkëpunimin ushtarak me Izraelin në lidhje me sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Izraeli ka nevojë serioze për bashkëpunim ushtarak me SHBA-në, veçanërisht në sistemet e mbrojtjes raketore dhe se ngrirja e bashkëpunimit ushtarak për çështjen e sulmeve ndaj objekteve bërthamore të Iranit e ka bërë jashtëzakonisht ‘të rrezikshme’ që Izraeli të përfshihet në një konflikt të njëanshëm”, thuhet më tej.

Telefonata e fundit midis Trumpit dhe Netanyahut ka qenë “plot me mosmarrëveshje themelore” mbi çështjen e Iranit, pretendon media izraelite. Trump shprehu angazhimin e tij për zgjidhje diplomatike duke thënë që ka besim se mund të arrihet një “marrëveshje e mirë” që plotëson edhe nevojat e sigurisë së Iranit dhe Izraelit.

Me ndërmjetësimin e Omanit, mes SHBA-së dhe Iranit po zhvillohen negociata për të arritur marrëveshje për armët bërthamore. Raundi i 5-të i negociatave u mbajt në kryeqytetin e Italisë, Romë, më 23 maj.

Në deklaratën e tij më 26 maj, Trump tha se është bërë “përparim i konsiderueshëm” në negociatat bërthamore me Iranin dhe tha se lajme pozitive mund të vijnë së shpejti nga bisedimet.

Presidenti amerikan dje deklaroi se e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit Netanyahu të mos ndërmarrë “masa kundërvepruese që mund të prishin negociatat bërthamore me Iranin”.

Kategoritë
BotaLajme