Sipas gazetës izraelite Jerusalem Post, administrata e Donald Trump po përgatitet të njohë Palestinën si shtet.
Trump, në mandatin e dytë drejt një hapi të rëndësishëm në politikën e Lindjes së Mesme
Administrata Trump, e cila që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza ka ofruar mbështetje ushtarake dhe financiare për Izraelin, tani ka nisur të distancohet nga ky vend.
Marrëdhëniet janë ftohur pasi Trump beson se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po e manipulon përmes zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Pretendimi: “Trump do ta njohë shtetin palestinez”
Ndërkohë që tensionet në marrëdhëniet Trump-Netanyahu po rriten, media izraelite ka ngritur një pretendim që mund të ndryshojë tërësisht balancat në rajon.
Jerusalem Post shkroi se Trump po përgatitet të shpallë njohjen e shtetit palestinez dhe se kjo deklaratë mund të bëhet gjatë samitit të Gjirit Persik dhe SHBA-së, që do të mbahet në mesin e majit në Riad.
“Do të ndryshojnë ekuilibrat e fuqisë në Lindjen e Mesme”
Një burim diplomatik i lartë nga vendet arabe, që foli për gazetën, tha:
“Presidenti Donald Trump do të shpallë njohjen amerikane për një shtet palestinez ku nuk përfshihet Hamasi. Kjo do të jetë një deklaratë që do të ndryshojë ekuilibrat e fuqisë në Lindjen e Mesme.”
I njëjti burim shtoi se ky hap mund të sjellë pjesëmarrjen e vendeve të reja në Marrëveshjet Abraham.
Samiti Gjirit – SHBA do të mbahet në mesin e majit në Riad
Arabia Saudite do të presë samitin si pjesë e vizitës së parë në rajon të Presidentit Trump në mandatin e tij të dytë. Pritet që, përveç Mbretit Salman bin Abdulaziz, në takim të marrin pjesë edhe të gjithë liderët e vendeve të Gjirit.
Pas samitit historik të vitit 2017 gjatë mandatit të parë të Trump-it, në këtë takim pritet të diskutohen çështje kritike si njohja e shtetit palestinez dhe bashkëpunimi bërthamor SHBA–Arabia Saudite.
Trump pritet të shpallë marrëveshje ekonomike gjigante
Sipas burimeve nga Gjiri, Trump mund të shpallë marrëveshje të reja me vlerë qindra miliarda dollarë gjatë samitit në Riad. Thuhet se investimet e Emirateve në SHBA kanë kaluar një trilion dollarë, ndërsa Arabia Saudite planifikon investime mbi 600 miliardë dollarë.
Në fushën e energjisë gjithashtu priten zhvillime të rëndësishme. Arabia Saudite po përgatitet për ndërtimin e reaktorit të saj të parë bërthamor në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare, duke ndjekur shembullin e Emirateve që tashmë kanë ndërtuar centralin bërthamor Barakah.
“Nëse do të diskutohej çështja palestineze, Egjipti dhe Jordania do të ftoheshin”
Fakti që Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi dhe Mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk janë ftuar në samit, ka ngritur dyshime nëse çështja palestineze është realisht në agjendë.
Ish-diplomati nga Gjiri, Ahmed Al-Ibrahim, tha: “Po të diskutohej çështja palestineze, këto dy vende do të ishin patjetër të pranishme.”
Pas samitit në Riad, Trump pritet të vizitojë zyrtarisht Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.